Futboll

Nga Chelsea te Mahrez: Fituesit dhe humbësit në Liverpool-Man City

Liverpool e Manchester City barazuan 0-0 të dielën pasdite në Anfield, në një sfidë me shumë rëndësi. Pritej spektakël dhe shumë gola, por doli në dritë një ndeshje frike, me shumë gabime, që në fakt nuk u shfrytëzuan nga asnjëra palë. Në fund, të dyja skuadrat shkuan në kuotën e 20 pikëve në renditjen e Premier Ligës, aty ku ka një ngjeshje fantastike për tifozët që ëndërrojnë duel me më shumë se dy ekipe në garën për titull. Cilët ishin fituesit dhe humbësit e sfidës?

Fitues: VAR

Premier League refuzon të përdorë teknlogjinë VAR, duke dalë kundër rrymës. Anglezët janë ndryshe në gjithçka, por në këtë pikë ia kanë futur kot, sepse VAR është mëse i nevojshëm dhe Kupa e Botës ishte prova më e mirë. Në Anfield Dejan Lovren goditi me shkelm nga pas Agueron, por arbitri Atkinson nuk e ndali lojën, sepse Aguero u çua dhe tentoi driblimin. Me VAR do të kishte ndryshuar gjithçka.

Më pas Virgil Van Dijk kërceu në zonë me krahun e ngritur, duke bllokuar një lojtar të City-t të mbërrinte te topi. Ishte sërish faull, por Atkinson nuk veproi, ashtu si në një duel mes Gabriel Jesus e Dejan Lovren, me kroatin që goditi me bërryl në fyt sulmuesin. Në fund Atkinson i dha City-t një penallti, kur Van Dijk ndali me faull Leroy Sané, por edhe kur e mori më në fund penalltinë që i mungonte, City i pafat e shpërdoroi.

Humbës: Riyad Mahrez

Ishte një ndeshje monumentale, fituesi do të merrte kreun dhe do t’i jepte një goditje të fortë një rivali direkt. Nëse fitonte, City do të hidhte një hap gjigant përpara dhe më në fund do të thyente mallkimin Anfield, ku nuk fiton prej thuajse dy dekadash. Nuk ndodhi, sepse Riyad Mahrez e çoi topin në orbitë nga pika e bardhë. Topi është ende në kërkim, diku pranë hënës, ndërsa askush nuk e kupton pse gjuajti Riyad Mahrez, i cili ka shënuar vetëm 3 nga 8 penalltitë e fundit që ka gjuajtur në Premier Ligë.

Fitues: Chelsea

Chelsea ka vetëm 3 muaj me Sarri-n në drejtim dhe duket se tashmë duket se filozofia e tij e lojës është asimiluar plotësisht. Në Southampton erdhi një fitore bindëse, ndërsa më vonë nga Anfield erdhi lajmi i dëshiruar, barazimi që i ngjit Blutë në krye.

Humbës: Trent Alexander-Arnold

Vetëm 19 vjeç, Alexander-Arnold ishte aq i mirë sezonin e shkuar, saqë e mbylli si titullar dhe shkoi edhe në Kupën e Botës. Për dreq, në ditën e 20-vjetorit të lindjes Alexander-Arnold u përball me Manchester City-n dhe zbuloi se nuk do ishte në fushë, sepse Klopp preferoi Joe Gomez. Taktikisht zgjedhja ishte logjike, sepse Gomez është më i zoti në fazën mbrojtëse dhe duhej kujdes i madh ndaj sulmit të frikshëm të City-t, por natyrisht për Alexander-Arnold duhet të ketë qenë një goditje e rëndë.

Fitues: Pep Guardiola

Manchester City humbi një shans të artë për të marrë kreun e tabelës në ndeshjen më të vështirë të sezonit deri tani, në një fushë ku kishte pësuar 7 gola në 2 vizitat e fundit. Këtë radhë gjithçka ndryshoi, sepse Guardiola bëri lëvizjet e duhura, nga pozicioni i David Silvas deri te dyshja e qendrës në mbrojtje, John Stones e Aymeric Laporte, të cilët shkëlqyen, në krahasim me dyshen Otamendi-Kompany,që u masakrua në vizitën e fundit në Liverpul. Guardiola gaboi që lejoi Mahrez të gjuante penalltinë, por siç e tha vetë spanjolli, nëse arbitri do jepte penallti për City-n më herët, siç i takonte, do ishte Aguero në fushë për të gjuajtur.

Humbës: Sergio Aguero

Sergio Aguero ka qenë një ndër figurat qendrore të futbollit anglez që kur është transferuar te City, por në Anfield nuk ka pasur kurrë fat. 10 ndeshje në Liverpul, me City-n dhe Atletico-n, por asnjë gol i shënuar dhe asnjë fitore, me 7 humbje. Guardiola e zëvendësoi, por ndoshta priti shumë gjatë, pasi ishte e qartë që Aguero nuk do të bënte asgjë gjatë ndeshjes, përveçse do të kishte gjuajtur penallti, nëse ishte në fushë. Për fat të keq, penalltia e vetme që u fishkëllye erdhi në fundin e takimit, kur Aguero nuk ishte në fushë.

 

Më shumë nga Futboll