Connect with us

Atletikë

Nga Dybala te Pele, bota e sportit përkulet para legjendës Bolt

Kanë kaluar pak orë nga shpërthimi i fundit i Bolt, njeriu që ka ndryshuar historinë e shpejtësisë, por që nuk e ka mbyllur karrierën me fitoren që shpresonte, ai dhe gjithë bota që ka qenë para televizorit për të mos humbur garën e fundit të më të madhit. Askush, në internet, duket se i ka dhënë rëndësi humbjes së Bolt, fundi që askush nuk donte të shikonte. Përkundrazi, ka pasur nga ata që kanë sulmuar fituesin në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Mail on Sunday” ka postuar menjëherë faqen e parë të gazetës në Twitter, ku shkruhej: “Fyerja finale nga një i dopuar”. Duke shtuar se fitorja e amerikanit 35-vjeçar, Justin Gatlin, ka lënë një shije të hidhur në gojë. “Bolt nuk do të mbahet mend për këtë natë”, ka qenë gjykimi final.

Edhe ish-sulmuesi anglez, Miachel Owen, ka pasur të njëjtin mendim dhe në mesazhin e tij ka shkruar: “Askush nuk e ka parë të ndodhë, askush nuk donte që të ndodhte #Gatlin”. Ish-kapiteni i kombëtares irlandeze të ragbisë, Brian O’Driscoll, nuk është kursyer: “Isha shumë i emocionuar për këtë garë dhe ndihem i vjedhur si tifoz. Nuk mund të kishte një rezultat më të keq. Mund ta pranoja humbjen e Bolt, por jo nga një mashtrues. #anaerrrëtesportit”. Me pak fjalë, kanë qenë të shumtë ata që kanë mbetur të zhgënjyer nga fakti që Bolt nuk fitoi.

 


 

Juventini Paulo Dybala ka shkruar në Twitter: “Ke lumturuar miliona tifozë, ke qenë një shembull i madh. Faleminderit Usain Bolt”. Edhe Nico Rosberg, i tërhequr nga Formula 1 pas fitores së botërorit me Mercedes, ka vlerësuar madhështinë e fenomenit xhamaikan: “Sapo kam parë Usain Bolt-in e fundit. Kam shumë respekt për të gjithçka që ke fituar në karrierë, do të jesh gjithmonë një gëzim për sportin. Tërheqje të mbarë”.


“E kam adhuruar gjithmonë, – ka thënë Pele, një nga ata që bën rimë me legjendë, – do të jetë e vështirë të gjendet një tjetër si ai në sport”. Sebastian Coe, i cili tani drejton IAAF, e ka krahasuar me “Më të Madhin”: “Nuk mendoj se ka një tjetër sportist pas Muhammad Ali, që të ketë pasur një ndikim kaq të madh te njerëzit”. Sergej Bubka, legjenda e hedhjes me shkop, ka thënë: “Ka qenë një kampion i madh që në fillim, një atlet shumë i dashur dhe i respektuar nga kolegët e tij”.

 


 

Javier Zanetti, kapiteni i Inter-it të “Tripletës”, ka qenë gjithmonë i mahnitur nga Bolt. “I madh, me një forcë të jashtëzakonshme mendore. Po flasim për një nga më të mëdhenjtë të gjithë kohërave. Nuk do të garojë më, por eksperienca e tij i ka bërë mirë botës së sportit”.

Më shumë nga Atletikë