Seria A

“Nga patatet te lufta”, braziliani bind Spalletti-n dhe bën për vete Inter

Historia e Dalbert Henrique Chagas Estevao me Inter ka qenë i stuhishëm. Në fakt, transferimi i 24-vjeçarit te zikaltrit ka karakterizuar të gjithë verën e klubit milanez. “Vjen, nuk vjen, shtyhet”, telenovela braziliane ka pasionuar dhe ndoshta ka rrezikuar të acarojë tifozët e Inter. Ajo që ka rëndësi është se në fund Dalbert është marrë nga Nice për një shifër të rëndësishme, 20 milionë euro plus bonuse, dhe ka nënshkruar një kontratë deri në vitin 2022. Por prezantimi i tij ka qenë shqetësues për klubin italian, sepse paraqitja e bërë 13 gushtin e kaluar kundër Betis nuk ka bindur aspak. “Mos kini frikë, e di unë se çfarë duhet bërë”, ka thënë trajneri Spalletti pas kritikave të tifozëve.

Pas vetëm 11 ditëve punë me teknikun toskan, Dalbert ka debutuar në Serie A në fitoren e madhe të marrë nga Inter kundër Roma-s në “Olimpico”, dhe të gjithëve u është dukur një lojtar i ri. Tani ai është gati të bëjë për vete Inter-in. Pasi ka parakaluar Nagotomo-n në hierarikitë e Spalletti-t, ai do të jetë titullar në ndeshjen kundër Spal, që do të luhet mesditën e së dielës në “San Siro” para 60 mijë tifozëve. ndërprerja e kampionatit për ndeshjet e kombëtareve e ka lejuar trajnerin zikaltër të korrigjojë defektet e fundit. Kështu, pas mallkimit që ka goditur klubin zikaltër me largimin e Roberto Carlos, me Inter-in që ka pasur gjithmonë probleme në krahun e majtë të mbrojtjes, mund të jetë një brazilian tjetër mëngjërash që të bëjë të harrohen përgjithmonë emrat e Gresko dhe Georgatos.

Aktivizimi nga minuta e parë do të jetë një dhuratë shumë e bukur për ditëlindje, duke parë se braziliani ka mbushur të premten 24 vjeç dhe ka dashur të kujtojë, nëpërmjet një postimi në Instagram, vuajtjet e kaluara në fëmijëri, kur i është dashur të mbante në kurriz thasë me patate për të grumbulluar paratë që i duheshin për të blerë biletën e autobusit që duhej të merrte për të shkuar në stërvitje dhe për të ndihmuar familjen. Cilësitë teknike e kanë ndihmuar t’i ngjisë me shpejtësi shkallët e suksesit: në fillim në atdhe me ekipin e Barra Mansa, më pas te Fluminense dhe Flamengo para se të transferohej në Portugali tek Academico Viseu, në kategorinë e dytë, dhe te Victoria Guimaraes, ku ka ardhur edhe shpërthimi. Më pas ka ardhur hapi më i rëndësishëm, drejt Nice-s, ku vitin e kaluar ka bindur me paraqitjet e tij, duke bindur Inter-in. Le të vijnë edhe 100 vite të tjerë”. Duke filluar nga Spal.

Më shumë nga Seria A