Futboll

Nga Spanja deri në Angli, sa shumë golashënues në “krizë”!

E nisën sezonin shumë mirë, në muajin gusht, por u ndalën, si me dorë, në shtator dhe pasojat po i vuajnë klubet përkatëse: Real Madrid, Atletico Madrid, Manchester United, Bayern Munich dhe Monaco po shkojnë në “pikiatë”…

BENZEMA – Mbrojtja më e mirë është sulmi? Me siguri, pa golat e qendërsulmuesit është e vështirë të shkosh përtej barazimit. E dinë mirë diçka ekipet kryesore të Europës. Kur ekipi bllokohet, golashënuesit e kanë të vështirë të dalin në hap, edhe anasjelltas. Rasti më i bujshëm është përgjumja e Benzema te Real Madrid. Ai shënoi pesë gola në tre ndeshjet e para, por nuk ka shënuar asnjë gol në pesë ndeshjet e fundit dhe në këto kushte po lëkundet stoli i Lopetegui.

DIEGO COSTA – Nëse Real Madrid qan, Atletico Madrid nuk qesh. Simeone po vuan shumë për të marrë tre pikë dhe kjo si pasojë e formës së dobët të Diego Costa. Braziliani, me pasaportë spanjolle, e ka nisur sezonin me “fishekzjarrë” në Superkupën e Europës, por baruti u lag. Vetëm një gol në shtatë ndeshje dhe tani erdhi edhe një dëmtim. Kjo është hera e parë që Simone e Atletico po ecën në La Liga me ritmin e një treni mallrash.

LEWANDOWSKI – E pabesueshme, por e vërtetë, edhe Bayern Munich vuan në kampionat. Bavarezët janë mësuar ta kenë kampionatin si një shëtitje, por aktualisht e shohin veten në vendin e gjashtë, pas shtatë javësh, katër pikë larg nga Borussia Dortmund që kryeson. “Fajin” për këtë e ka edhe Lewandowski që nuk ka pasur besimin e zakonshëm para portës kundërshtare me vetëm tre gola të shënuar në gjashtë ndeshje për polakun. Nuk është një mesatare dhe aq e keq, por me siguri shumë larg nga standartet e tij të zakonshme. Skuadra e Kovac po e paguan formën e dobët të sulmuesit polak.

LUKAKU – Edhe Manchester United ka probleme në sulm. Askush nuk vë në diskutim Romelu Lukaku ose atë që ai jep për fanellën e “djajve” dhe ekipin e Jose Mourinho, trajneri që e ka mbrojtur publikisht. Megjithatë në fushën e lojës qendërsulmuesi belg ka shënuar vetëm katër gola në 8 ndeshje zyrtare. Goli i tij i fundit me “djajtë” daton më 15 shtator…

FALCAO – Rasti më i bujshëm vjen nga Franca, atje ku Monaco është konfirmuar si një skuadër e varur plotësisht nga Radamel Falcao. Pa golat e kolumbianit, skuadra e “Principatës” ka probleme të mëdha. Ata janë në zonën e ulët të klasifikimit, pavarësisht katër golave në tetë ndeshje, sa për të qenë më të qartë, Mbappe ka shënon katër gola në një ndeshje të vetme. Gjithsesi, rendimenti i Falcao nuk është i duhuri. Goli kundër Rennes nuk shërbeu për të shmangur humbjen e radhës në kampionat.

Më shumë nga Futboll