Kategoria Superiore

Nica dha dorëheqjen, Teuta e ribeson si trajner

Humbja me Luftëtarin ishte një goditje e rëndë për ekipin e Teutës, që tashmë rrezikon rënien nga kategoria. Pas ndeshjes, trajneri i durrsakëve Stavri Nica deklaroi se do të bisedonte me presidentin për vazhdimësinë, duke lënë të kuptohet se do të jepte dorëheqjen njëherë e mirë jo vetëm nga Teuta por dhe nga futbolli. Por në fakt, ashtu si në fundin e fazës së parë, kur  ish-trajneri i Teutës Gugash Magani, deklaroi të njëjtën gjë pas humbjes me Lushnjën, edhe këtë herë klubi durrsak ka vendosur t`i besojë akoma trajnerit Stavri Nica.

Me anë të një deklarate të shkurtër publikuar në faqen zyrtare të klubit në facebook, mësohet se “Klubi i Futbollit Teuta dëshiron tju njoftojë se Stavri Nica do të vazhdojë bashkëpunimin me KF Teuta. Pas një takimi me drejtuesit e klubit me marrëveshje dhe në mënyrë miqësore është vendosur se Stavri Nica do vazhdojë bashkëpunimin me klubin Teuta”-citohet nga njoftimi.

Aventura e Stavri Nicës në krye të klubit durrsak nisi vetëm këtë vit, pasi deri në fund të 2017 ekipi drejtohej nga Gugash Magani, i cili u largua për shkak të rezultateve të dobëta.

Ndërkohë pak javë më parë, Stavri Nica bëri një deklaratë të pa pritur në media, kur tha se lojtarët e sotëm nuk luajnë për fanellën dhe nuk ndjekin trajnerin. Në fakt Teuta është një nga ekipet që gjatë këtij sezoni ka pasur probleme të shumtë me lojtarët, të cilat kanë përfunduar me përjashtime, dënime dhe ndërprerje kontrate me disa prej lojtarëve.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kategoria Superiore