Çiklizëm

Nis Turi i Francës, kolumbiani Gaviria fiton etapën e parë

Çiklisti kolumbian Fernando Gaviria ka fituar sot etapën e parë të Turit të Francës në çiklizëm, edicioni i 105-të i turneut më të rëndësishëm të biçikletës në botë. Etapa e sotme, Noirmoutier-Comte, 201km e gjatë, ishte një etapë tërësisht fushore dhe e përshtatshme për sprinterët dhe në fund triumfoi Gaviria, që u tregua më i shpejtë në metrat e fundit të garës.

Ai mposhti në sprintin final kampionin e botës në fuqi të shpejtësisë, sllovakun Peter Sagan (i dyti), ndërsa në vendin e tretë u rendit gjermani Marcel Kittel. Gjatë etapës pati disa shkëputje sporadike nga ana e çiklistëve, por asnjë surprizë, pasi çiklistët mbërritën të bashkuar në fundin e saj. Për t’u evidentuar një rrëzim i britanikut Chris Froome 4km nga fundi, duke humbur 51 sekonda nga kreu.

Kolumbiani Gaviria, falë këtij triumfi në etapën e parë mori edhe fanellën e verdhë të liderit të Turit të Francës, për herë të parë në karrierën e tij. Nesër do të zhvillohet etapa e dytë e Turit të Francës, sërish një etapë fushore dhe e përshtatshme për sprinterët.

Më shumë nga Çiklizëm