Çiklizëm

Nisin maloret, britaniku Simon Yates merr komandën e Xhiros së Italisë

Është zhvilluar sot etapa e 8-të e edicionit të 101-të të Xhiros së Italisë, Montevergine-Mercogliano, 209km e gjatë, një etapë që ka regjistruar edhe maloren e parë të vështirë për çiklistët. Jo vetëm kaq, por edhe 10km e fundit të kësaj etape ishin një malore e shkallës së dytë, duke vendosur garuesit përballë një sfidë të vështirë. Duke parë karakteristikat e etapës, ashtu sikurse edhe pritej, nuk kanë munguar shkëputjet e çiklistëve, që kanë mbërritur grupe-grupe në finish.

I pari që preu vijën e finishit është ekuadoriani Richard Carapaz, që korri suksesin e parë në një turne të madh, duke dhënë kohën 5h11’35”. Ai ishte pjesë një grupi prej 10 çiklistësh që u shkëputën në mesin e garës, por me nisjen e kilometrit të fundit pedaloi më fort se rivalët, duke mbërritur i vetëm në finish. Në vendin e dytë u rendit italiani Davide Formolo, pas 7 sekondash, ndërsa i treti i klasifikua francezi Thibaut Pinot (mbërriti 7 sekonda pas fituesit).

Mes këtij grupi ishte edhe britaniku Simon Yates, që u klasifikua i pesti, por falë kohës së dhënë sot merr kreun e renditjes së Xhiros së Italisë, duke mbajtur të veshur edhe fanellën rozë të liderit të turneut. Në renditjen e përgjithshme të Xhiros së Italisë, britaniku Yates ka 16 sekonda avantazh ndaj holandezit Tom Dumoulin, i dyti, ndërsa në të tretin është kolumbiani Esteban Chaves, me 26 sekonda vonesë ndaj liderit.

Çiklisti shqiptar Eugert Zhupa, që garon për të katërtin vit radhazi në Xhiron e Italisë, mbërriti në finish sot pas 17’12” nga ekuadoriani, duke u klasifikuar në vendin e 151-të. Ndërsa në renditjen e përgjithshme, çiklisti kuqezi që garon për skuadrën e Wilier Triestina-Selle Italia, klasifikohet në vendin e 170-të dhe të parafundit, me 1h13’39” nga Yates.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Çiklizëm