Futboll

Një “Hysaj” i ri po rritet në Itali

 

Rivoli Calcio është një skuadër e Serisë D në kampionatin italian të futbollit. Ekipi edhe pse pa shumë emër dhe madje në ditë të vështira, në ekipet e saj zinxhir ka talente. Një ndër ta është 17-vjeçari shqiptar Fabio Ajdinaj. I lindur në Berat, në moshën 3 vjeçare emigron drejt Italisë me familjen dhe në moshën 6 vjeçare nis të stërvitet me ekipet e moshave të Rivoli Calcio.

Sot Fabio luan në rolin e mbrojtësit të krahut, dhe ashtu siç tregon i ati i tij për TeleSport, Fabio luan në të dy krahët. Në skuadër e cilësojnë shpeshmazi edhe si një “Hysaj” i vogël, pasi ka të njëjtat cilësi si mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit. Madje ashtu si Hysaj dhe talente të tjerë, që i janë bashkuar kuqezinjëve duke nisur nga ekipet e moshave, edhe Fabio Ajdinaj, është duke u vëzhguar dhe provuar nga trajnerët e ekipeve zinxhir të Kombëtares.

Ai ka qenë pjesë e një zbori seleksionues të kryer nga trajneri i U-17 Xhemal Mustedanagiç gjatë dhjetorit të vitit që sapo lamë pas. Talentit të tij i ka kushtuar vëmendje edhe gazeta sportive “Torinasportiva” në Itali, e cila ka vlerësuar cilësitë e talentit shqiptar duke e cilësuar atë si një “xhevahir”.

Gazeta italiane thotë se Ajdinaj mund të shkëlqejë në të ardhmen nëse ai do të ketë mbështetje dhe hapësira në Kombëtaren shqiptare të futbollit. I ati i Fabios, Ornel Ajadinaj shprehet se i biri ka shumë dëshirë të luajë futboll dhe të luajë për Shqipërinë, sepse ai shprehet se ka gjak shqiptar dhe talentin e tij do që t`ia vërë në dispozicion vendit të vet.

Rasti i Fabios nuk është i vetmi, pasi në Itali brezi i dytë i emigracionit ka bërë që të ketë një numër të lartë të rinjsh që stërviten dhe aktivizohen me ekipe zinxhir të klubeve italiane, dhe më pas të njohin shkëlqim edhe në kategoritë më të larta të futbollit në Itali dhe jo vetëm.

 

 

 

Më shumë nga Futboll