Futboll

Një rikthim i rëndësishëm për Flamurtarin, Daja plotëson radhët

Flamurtari ka vuajtur jo pak këtë fillim sezoni. Ekipi vlonjat ka zhvilluar një fazë të parë me hope-hope. Trajneri Ilir Daja nuk ka patur të gjithë grupin e gatshëm, pasi shpeshherë ka vuajtur nga dëmtimet. Reparti i mbrojtjes ka qenë më problematiku, pasi Albi Alla ka qenë i dëmtuar gjatë dhe nuk e ka ndihmuar ekipin e tij javët e fundit të kampionatit. Si të mos mjaftonte dëmtimi i pogradecarit, zëvendësuesi i tij, Sirghi, u dëmtua në hundë duke shkaktuar boshllëk në mbrojtje.

Numri një i stolit është detyruar që të improvizojë në qendër të mbrojtjes, por disa nga këto lëvizje nuk i kanë dalë me sukses dhe bregdetarët janë ndëshkuar. Para ndeshjes me Tiranën, numri një i stolit merr një sinjal pozitiv nga Albi Alla. Mbrojtësi mund të jetë gati për takimin kundër bardheblu. Daja dhe stafi i tij teknik do të shohin me vëmendje gjendjen fizike të 25-vjeçarit dhe më pas do të vendosin për aktivizimin e tij, ose jo. Ditët e riaftësimit janë në dispozicion, pasi ndeshja do të luhet ditën e hënë prej orës 18:00.

Alla nuk luan që prej javës së tretë kur Flamurtari fitoi me Luftëtarin jashtë fushe me rezultatin 0-1. Daja nuk e ka patur në dispozicion futbollistin që prej 1 shtatorit të 2018. Oshilacionet e bregdetarëve në rezultate mund të lidhen dhe me mungesën e Allës në qendër të mbrojtjes. Ai është një garanci e shtuar dhe një lider për vlonjatët, pavarësisht se iu bashkua atyre vetëm në merkaton e verës.

Më shumë nga Futboll