Bundesliga

Një super gafë dhe Stuttgart thellojnë krizën e Borussia Dortmund

Vazhdon momenti negativ i Borussia Dortmund. Verdhezinjtë kanë pësuar humbjen e tretë radhazi në kampionat, duke u mundur 2-1 në fushën e Stuttgart, një nga katër skuadrat e këtij sezoni në Bundesligë që nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi.

Pesë minuta i kanë mjaftuar vendasve për të kaluar në avantazh me Akolo, me këtë fundit që ka përfituar nga një gabim trashanik i portierit Burki. Reagimi i Miqve ka ardhur në minutën e fundit të pjesës së parë, me arbitrin e ndeshjes që ka dhënë një penallti në favor të ekipit të Bosz. Penallti që është gabuar nga Schurrle, por, fatmirësisht për Borussia-n, lojtari i parë që ka shkuar te topi, pas pritjes së Zieler, ka qenë Philipp, i cili nuk ka gabuar dhe ka barazuar sfidën.

Në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 51-të, ka qenë Brekalo që ka kthyer në avantazh vendasit, të cilët kanë befasuar verdhezinjtë me një kundërsulm të shpejtë. Miqtë kanë shënuar përsëri në minutën e 72-të, por goli është anuluar për pozicion jashtë loje. Rasti i fundit i ndeshjes është krijuar nga Stuttgart, me gjuajtjen e Berkalo që është neutralizuar nga Burki. Pas këtij rezultati, Dortmund mbetet në vendin e tretë me 20 pikë, gjashtë më pak se Bayern që ka një ndeshje për të luajtur. Stuttgart, nga ana tjetër, është ngjitur në vendin e 11-të, në kuotën e 16 pikëve.

Më shumë nga Bundesliga