Bundesliga

Një tjetër refuzim për Mourinho, Boateng: Jam i lumtur te Bayern Munich

Jerome Boateng është i lumtur te Bayern Munich, për këtë arsye e ka refuzuar mundësinë e transferimit te Manchester United. Jose Mourinho po përpiqet në mënyrë të dëshpëruar për të përforcuar skuadrën e tij në këtë merkato verore dhe Boateng ishte në listën e emrave, që do të donte t’i kishte për sezonin e ri, por mbrojtësi gjerman e ka refuzuar një ofertë të tillë.

Ai e ka kontaktuar personalisht portugezin dhe sipas “SportBild”, mësohet t’i ketë thënë se beson më shumë në projektin e gjermanëve, në këtë moment, dhe se shanset për të fituar Ligën e Kampionëve janë më të mëdha me Bayern sesa me United.

“Djajtë e Kuq” ranë në kontakt me kampionët e Gjermanisë të dielën e kaluar për t’u interesuar se sa mund të kushtonte nënshkrimi i një kontrate me mbrojtësin, por marrëveshja u mbyll, pa pasur një ofertë konkrete nga klubi i Premier League, për shkak të refuzimit nga vetë lojtari. Boateng ka një kontratë me Bayern deri në vitin 2021.

Me refuzimin e tij, United vijon kërkimet, ku deri më tani kanë nënshkruar me mesfushorin e Brazilit, Fred, 19-vjeçarin Dalot dhe portierin Lee Grant. Kanë mbetur edhe shumë pak orë nga mbyllja e merkatos verore në Angli dhe Jose Mourinho nuk po e plotëson dot skuadrën ashtu siç e kishte parashikuar, duke e bërë më të vështirë rrugëtimin e tij në Premier League dhe fitoren e titullit kampion.
Përgatiti: Bruna KAZANI

Më shumë nga Bundesliga