Kampionati Shqiptar

Një trajner në javë, vjen largimi i radhës në Kosovë

Kampionati i Kosovës konfirmohet një “varrezë” trajnerësh, sepse pa kaluar dy muaj nga fillimi i sezonit gjysma e ekipeve të Superligës kanë pushuar trajnerët nga puna, një sjellje absurde, që nuk po ndryshon nga viti në vit.

Këtë javë e ka pasur radhën të humbasë vendin e punës një emër tjetër i njohur i trajnimit, Bylbyl Sokoli, i cili nuk është më trajner i KF Llapit.

Klubi nga Podujeva ka njoftuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin, duke shpjeguar arsyet me një komunikatë për mediat.

“KF Llapi nga mbledhja e mbajtur ka analizuar dhe shqyrtuar me vëmendje ecurinë e kampionatit për këto tetë xhiro dhe nga kjo kemi ardhur në përfundim se shkarkimi i Kryetrajnerit, Bylbyl Sokoli ishte i paevitueshëm. Arsyet kryesore të shkarkimit të tij ishin rezultatet jo të mira të skuadrës në këto tetë xhiro, si dhe mungesa e harmonisë mes lojtarëve dhe kryetrajnerit, që dolën të jenë mungesa e rezultateve të deritanishme. E falënderojmë Kryetrajnerin Bylbyl Sokoli për kohën e kaluar në KF Llapi, ndërsa Drejtori Sportiv, Tahir Batatina, është në bisedime me tre trajnerë për të ardhur në stolin e Llapit”.

Ditët e fundit Sokoli u sulmua nga persona të paidentifikuar afër banesës së tij, një skandal i madh që ende nuk ka shpjegim.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar