Sporte Mix

Një “zero” më shumë në porosi, 15 mijë kokrra vezë për delegacionin norvegjez

Në sport ke nevojë për energji për të triumfuar dhe kur stërvitesh shumë ato shpesh mungojnë. Ndaj një ushqim i shëndetshëm është i rëndësishëm për të shkuar te fitorja. Por delegacionit olimpik norvegjez, pasi ka mbërritur në Korenë e Jugut, i ka ndodhur një surprizë. Në vend të një porosie prej 1,500 vezësh i ka mbërritur një ngarkesë 10 herë më e madhe, me 15 mijë kokrra vezë. Dhe, duke parë numrin e delegacionit olimpik norvegjez, që në total është prej 121 vetësh (sportistë, trajnerë dhe staf), kjo shifër e vezëve është vërtet e madhe (124 vezë për person), ndërkohë që Olimpiada zgjat vetëm dy javë.

Duket se problemi është i “google translate”, pasi organizatorët kanë shtuar një “zero” më shumë në porosinë e delegacionit norvegjez. “Ka qenë një keqkuptim, një zero më shumë, ndaj në vend që të na vinin 1,500 vezë në ardhën 15 mijë. Ne nuk mund t’i përdorim të gjitha, ndoshta ata që na i kanë dërguar do t’i marrin pas”, tha shefi i delegacionit olimpik norvegjez, duke sqaruar situatën e krijuar. Ndërsa një nga 3 guzhinjerët e delegacionit olimpik norvegjez, Stale Johansen, që ndjek ekipin për të 8-n edicion, tha: “Ne arritëm të kthejmë pas një pjesë të porosisë. Ishte një problem përkthimi nga ana e organizatorëve”.

Më shumë nga Sporte Mix