Connect with us

Tenis

Novak Djokovic mbyll sezonin: Do të rishihemi vitin tjetër

Ashtu siç ishte parashikuar, tenisti serb Novak Djokovic ka vendosur të mbyllë para kohe sezonin 2017. Përmes një konference “live” për mediat, të transmetuar nga serbi edhe në rrjetet sociale, ai ka vendosur të mos zhvillojë më asnjë ndeshje për këtë vit dhe të rikthehet në fushë vitin tjetër. “Pas një viti e gjysmë me probleme, që më kanë kushtëzuar në lojën time, vendosëm që të tërhiqesha për pjesën e mbetur të sezonit. Nuk do të luaj më asnjë ndeshje për vitin 2017. Ka qenë një vendim i vështirë për mua, por turneu i Wimbledonit ishte i vështirë për mua me dhimbjen e madhe që ndjeja”, tha Djokovic.

Tenisti serb Novak Djokovic

Për çudi, konferenca për shtyp sot e Djokovic u bë në të njëjtën ditë me atë të Federer një vit më parë, që më 26 korrik 2016 deklaroi se do të qëndrojë pushim për pjesën e mbetur të sezonit. Duke u tërhequr nga fushat për një periudhë kaq të gjatë, Djokovic do të bumbasë edhe 3,740 pikë në renditjen e përgjithshme, pikë të fituara gjatë pjesës së dytë të sezonti të kaluar, duke dalë kështu nga “top-10” tenistët më të mirë në botë. “Nuk do të prek raketë me dorë për dy muaj, periudhë që do të më shërbejë për t’u rikuperuar 100% nga dëmtimi në bërryl”, tha Djokovic. Serbi, ish-numri 1 në botë, u shpreh më tej se Andre Agassi do të jetë trajneri i tij edhe gjatë vitit 2018. “Do të rikthehem dhe vazhdoj të luaj për shumë vite të tjera”, u shpreh tenisti serb.

Më shumë nga Tenis