Kampionati Shqiptar

Nuk mjafton rikthimi në shtëpi, kampionët trondisin Lushnjën

Lushnja-Kukësi 0-2
Golat: Guri 58’, Alyiev 61’
Lushnja: Spaho, Ruço, Marku, Xhafa (Byzhyti 18′), Mone, Branica (Meto 45′), Gava, Papa, Canka (Bejte 48′), Pepa, Sefa. Trajner: Artan Bano
Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Hoxha, Alla, Rrumbullaku, Ethemi (Imami 88’), Musolli (Bakaj 46′), Kërkotiç, Guri, Cale (Shtubina 76′), Alyiev. Trajner: Mladen Milinkoviç
Gjyqtarë: E.Hamiti, R.Çokaj, P.Simoni
Kartonë të verdhë: Bizhyti 17′ / Ethemi 54′
Karton i kuq: Spaho 47’

 

Në “Roza Haxhiun” e rikonstruktuar, në prani të rreth 2500 tifozëve, është rikthyer të luajë Lushnja. Skuadra e Banos, debutuese në Superiore, është munduar t’i mbajë sa më larg portës së vet kampionët e vendit në fuqi, me shpresën se përmes topit të gjatë dhe kundërsulmit mund të gjenin golin. Mirëpo, Kukësi i ka treguar “dhëmbët” që në minutën e 9-të, kur Rrumbullaku trondit tranversën e portës së Spahos, me një goditje të fortë nga distanca. Ngulmimi i verilindorëve është i dukshëm, në kërkim të zhbllokimit të rezultatit të bardhë, por pjesa e parë nuk ka gol. Në fund të 45 minutave të para dëmtohet keq, në një dyluftim, peqinasi Branica, i cili dërgohet me urgjencë në spitalin e qytetit. Pjesa e dytë nis keq për lagunarët. Në minutën e 47-të është portieri Spaho, që ndëshkohet me të kuqe, duke i lënë vendasit me një forcë më pak.

Ai pengon Alyiev në mënyrë të parregullt, si lojtar i fundit, jashtë zonës së 16-metrave. Këtu prishen balancat, me Kukësin që rrit presionin dhe arrin që brenda tri minutave të shënojë dy herë. Fillimisht është shkodrani Guri, që me një goditje nga distanca, në minutën e 58-të, prek rrjetën e Bejtes, që ka hyrë në vend të Cankës, duke u pozicionuar si zëvendësues i Spahos. Në minutën e 61-të është azerbajxhanasi Alyiev, ai që zhbllokohet. Sulmuesi i mirëpaguar i kampionëve e dërgon ndeshjen në epërsinë 2-0 për të tijtë, duke i dhënë drejtim edhe fatit të kësaj sfide, që i dërgon tri pikët në llogarinë e verilindorëve. Lushnja mbetet në pozita fundore, si një nga favorite për t’u kthyer andej nga erdhi, në Kategorinë e Parë, ndërsa skuadra e Milinkovic nuk i ndahet kreut, tashmë më e kolauduar ndër veti, pas ndryshimit të mënyrës së të luajturit.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Kampionati Shqiptar