Bundesliga

Ofendoi tifozët, Carlo Ancelotti i shpëton dënimit

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka vendosur të mos japë asnjë dënim në adresë të trajnerit të Bayern Mynih, Carlo Ancelotti, për gjestin që ai bëri karshi tifozëve të Hertha Berlin, pas ndeshjes së fundit. Në momentin që trajneri italian po hynte në dhomat e zhveshjes, shau tifozët kundërshtarë, duke u treguar gishtin e mesit. Ancelotti u shfajësua me faktin se tifozët e Hertha e kishin pështyrë dhe ai reagoi. Ajo ndeshje u mbyll në barazim 1-1, me Bayern që barazoi në minutën e 95-të, çka solli edhe shpërthimin e tifozëve vendës ndaj ekipit rival.

Shpërtheu edhe Ancelotti, që zakonisht është një trajner i qetë, por duket se këtë herë ra viktimë e fyerjeve, duke reaguar keq. Por DFB vendosi të mos marrë asnjë masë ndaj trajnerit edhe pse hapi një hetim, ku u pyet edhe vetë Ancelotti. Lajmin e pafajësisë së trajnerit e dha vetë klubi gjerman, duke e konsideruar gjestin e tij si një reagim të momentit, pasi u pështy nga disa tifozë të ekipit vendës. Ancelotti kërkoi ndjesë për gjestin e tij dhe vendosi të dhurojë 5 mijë euro për Fondacionin e ngritur nga DFB.

Më shumë nga Bundesliga