AUTO

I ofrojnë 7 milionë euro për makinën e Hitlerit, rusi anonim refuzon

Modeli i rrallë Mercedes-Benz 770k Grosser i 1939-ës, makina e përdorur për një kohë të gjatë nga Adolf Hitler ka dalë në ankand. por pronari i saj, në fund, ka refuzuar një ofertë prej 7 milionë eurosh gjatë takimit të zhvilluar në Skotsdejl, Arizona, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e Worldwide Auctioneers.

770K Grosser Open Tourer është një makinë e 1939-ës: Hitleri e ka përdorur deri në 1941-in për çdo aktivitet zyrtar. Por, përveçse ka qenë makina zyrtare e Rajhut të Tretë, është edhe një model i rrallë koleksioni. Një makinë 6 metra e gjatë, 5 ton e rëndë, 400 kuaj fuqi dhe me një blindim të veçantë.

Kjo makinë, e cila është e pranishme në shumë fotografi të asaj epoke, është akoma në gjendje shumë të mirë. Madje, ka akoma targën origjinale “1A 148461”, dokumente të SS dhe të ofiçinës së Mercedes-it. Makina është mirëmbajtur nga Erich Kempka, ish-zyrtar i SS dhe shofer. 10% i shumë së fituar nga shitja duhej të shkonte për programin Holokaust, por duke parë se pronari ka refuzuar ofertën marramendëse asnjë çek nuk është prerë.

Kjo Mercedes-Benz 770K Grosser Open Tourer ka bërë xhiron e botës pas Luftës së Dytë Botërore: Austri, Las Vegas, Monakodhe Bielefild, qytetit gjerman ku jeton një koleksionist anonim rus, i cili e ka blerë disa vite më parë. Në kohët e sotme ekzistojnë më pak se dhjetë modele të tilla dhe asnjë nuk është në gjendje të mirë sa kjo. E prezantuar në sallonin e Parisit në 1930-ën, Mercedes-Benz 770K Grosser Open Tourer kushtonte shumë dhe kishte një motor 8 cilindrash, që e çonte makinën të ecte deri në 180 km/h shpejtësi. Përveç Hitlerit, mjeti ka qenë edhe në pronësi të ish-perandorit gjerman Guljelmi II dhe ai japonez Hiroshito.

Më shumë nga AUTO