Kategoria Superiore

Olsi Rama: Duam titullin që i`u hoq Skënderbeut

Olsi Rama: Duam titullin që i`u hoq Skënderbeut

Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, ka folur për herë të parë pas marrjes së këtij posti te ekipi i “demave të kuq”. Olsi Rama ka qenë i ftuar në emisionin “Proçesi Sportiv”, ku ka folur për të ardhmen e Partizanit, merkaton, titullin dhe probleme të tjera. Një ndër çështjet që duket se drejtori i Partizanit do të merret është ajo e titullit të sezonit 2015-2016.

“Zyrtarisht i kam bërë kërkesë FSHF-së për titullin kampion të vitit 2015-2016. UEFA ia ka hequr këtë të drejtë Skënderbeut për shkak të dënimit që ata e vuajtën, kështu që ne presim vendimin që të na kalohet ky titull”-është shprehur numri dy i Partizanit.

Ai është kritik me nivelin e sportit në Shqipëri dhe padyshim dhe nivelin e tifozerisë në stadiume, ku nuk mungon dhuna dhe koret me fyerje e të shara.

“E lidh me nivelin e sportit në Shqipëri, i cili nuk është në stadin e duhur, kryesisht nga infrastruktura. Ndryshe të shkosh në stadiumin e Shkodrës dhe ndryshe në Përmet, ku vetë infrastruktura nuk ka lidhje. E dënoj faktin kur shkoj në stadium e dëgjoj të shara. Stadiumi duhet të jetë arenë feste, për vetë pasionin që kanë të pranishmit”-thekson Drejtori i ri i Partizanit.

Ai ka mbështetur rikthimin e Starovës në krye të Partizanit dhe e ka cilësuar këtë si një bast të fituar që në nisje.

“Rikthimi i Starovës ishte bast i fituar që në nisje. Ai garantonte integritet tekniko-taktik. Ai ka bërë goxha eksperiment në anën taktike. Më e rëndësishme është që ka fituar lojtarët veteran, ata janë përgjigjur lojës që kërkon Starova”-është shprehur ai ndër të tjera.

E ardhmja e Partizanit pritet të marrë drejtim tjetër tashmë. Drejtori i ri ka shprehur dëshirën që të krijojë sektorin e skautit dhe të zbulohen talente në tregun shqiptar dhe atë kosovar. Sa i përket merkatos së janarit, Olsi Rama është shprehur se do të ketë afrime të disa bomberave në klubin e kuq.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kategoria Superiore