Tenis

Operohet Murray, 5 muaj pushim, synon rikthimin në Wimbledon

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar një javë më parë, tenisti britanik Andy Murray i është nënshtruar sot një ndërhyrje kirurgjikale në shpinë, operacion që është kryer në Melburn të Australisë, ku shkoi një javë më parë me shpresën për të luajtur në Australian Open. Lajmin e konfirmoi vetë tenisti britanik, tashmë numri 16 në botë, që në faqen e tij zyrtare “Facebook” shkruajti: “Sot iu nënshtrova një ndërhyrje kirurgjikale dhe dua të falënderoj doktorin John O’Donnell për operacionin. Mezi pres të rikthehem në fushë dhe të jem kompetitiv si më parë. Do të rikthehem shpejt”.

Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që keni shprehur karshi meje kohët e fundit. Nuk do të sforcohem gjatë fazës së rikuperimit, ndaj do të luaj sërish vetëm kur të jem gati. Nëse do të jem në gjendje të luaj edhe në 95% të mundësisë time, atëherë besoj se do të rikthehem kompetitiv”, u shpreh më tej Andy Murray, ish-numri 1 në botë. Ai nuk luan që prej grand slemit të Wimbledonit një vit më parë dhe shpreson të rikthehet në turneun e shtëpisë, në qershor të këtij viti, çka do të thotë se do të mungojë në Roland Garros (Paris) dhe në disa nga turnetë Masters.

Më shumë nga Tenis