Kampionati Shqiptar

Opinion / Ç’lidhje ka Skënderbeu i madh i Kuvendit të Lezhës me Skënderbeun e llotove?!

Nga AFRIM KRASNIQI
 Duke hulumtuar raportimet 2017-2018 në mediat ndërkombëtare mbi figurën e Skënderbeut, gjen të papriturën dhe turpin e madh, që të gjithë e kemi parasysh dhe nuk e shohim, nuk e ndiejmë dhe për të cilin as nuk mund të flasim. Lajm dominues mbetet vendimi i UEFA-s për dënimin e Klubit të Futbollit “Skënderbeu” (http://www.xn--insideorldfootball-jxb.com/…/matchfixing-skenderbe…/), lajm që gjendet në çdo media të rëndësishme perëndimore e rajonale.

Çfarë lidhje ka Skënderbeu i madh i Kuvendit të Lezhës me Skënderbeun e llotove dhe oligarkëve të tjerë të biznesit sportiv në Shqipëri? Asnjë. Përse duhet që emri i madh të baltoset kaq shumë dhe kaq banalisht nga matrapazët e sportit? Përse qytetarët e Korçës, këshilli bashkiak, FSHF dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë duhet të mbyllin sy e veshë, duke toleruar një poshtërim kaq banal të simbolit, emrit dhe domethënies që ka për ne Gjergj – Kastrioti (Skënderbeu) i pafajshëm?

Zgjidhja është dhe mbetet vetëm një: në momentin kur çështja mori trajtim institucional, do të duhej që adhuruesit e shtetit, ligjit, moralit, historisë dhe identitetit të ngrinin zërin dhe të bënin ndarjen e menjëhershme zyrtare dhe publike të Skënderbeut nga ekipi i 20-30 punëtorëve të topit, të krijuar nga koalicioni korruptiv i pushtetit të djeshëm dhe të sotëm politik e financiar.

Le ta quajnë FK Takaj apo FK Bode, FK Zeqo apo FK Filo, le të shesin e të blejnë gola e birra, redbull apo kasa fiskale, apartamente në bregdet, apo vila turistike, siç kanë bërë e vijojnë të bëjnë edhe shumica e ekipeve “të suksesshme” të tranzicionit në Shqipëri; le të organizojnë festa e mitingje në rrugë; le ta përdorin si të duan, por as ata dhe askush nuk ka të drejtë të përdorë emrin e simbolit kombëtar për asnjë formë trafikimi, fitimi, abuzimi dhe krimi.

Kjo aventurë duhet të marrë përgjigje zyrtare dhe të ndalet sa më parë. Me forcën e ligjit, moralit, qytetarisë dhe sensin e shtetit. Sa më parë, aq më shpejt. Për këtë ia vlen edhe një ligj në parlament, edhe një vendim konsensual në këshillin bashkiak të Korçës, edhe një akt normativ i qeverisë, edhe shumë më tepër sesa kaq. Nëse nuk jemi të aftë ta nderojmë sa e si duhet, të paktën brezat e sotëm kanë detyrimin të mos e dëmtojmë imazhin dhe emrin e tij, të mos e baltosim me gabimet e fajet tona të vjetra e të reja.

Ta “çlirojmë” Gjergjin nga turpi dhe denigrimi që i kemi bërë indirekt në raportimet e në mediat perëndimore. Pra, minimalisht të mos sillemi me të njësoj si Sulltanët pushtues / asimilues, që pasuan ndarjen e tij nga jeta.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar