Forum

Opinion / Ja pse Gudari s’duhet lejuar asnjë minutë të vetme

Nga Petrit Hoxha
Përshëndes me sinqeritet e respekt dorëheqjen e Elez Gjozës. Kaq kam kërkuar nga miku im, Gjoza. E kam patur dhe do ta kem mik përsëri. Ka qenë përherë njeri i shkathët, me intuitë dhe sportist shumë i mirë. Si drejtues fedarate u vetëpozicionua. Po tani, i dashur komunitet i peshëngritjes shqiptare, cilin do të vendosni në vend të Elezit? Dikush më gënjeu e më tha: Gudarin! Besoj se e bëri për shaka, pasi vetëm ai s’mund të jetë. Të gjithë e njohim këtë njeri, të gjithë e pamë se ç’hoqi Edi Rama që ta largojë nga “uzurpimi” që i bëri Akademisë së Shkencave. Po ç’mund ta shkulë më këtë njeri nga ai post i presidentit të komanduar, në rast se do ta lejoni ju, komuniteti i sjellshëm dhe i nënshtruar i peshëngritjes shqiptare?

A e kuptoni se ky njeri do të merret me infrastrukturën e zgjedhjeve të reja. Pikërisht në një kohë kur të gjithë janë të fokusuar te Kampionati Europian dhe kur sasia e parave do të jetë e madhe nga bashkia, qeveria dhe sponsorët. S’ka asnjë lidhje me organizimin e këtij aktiviteti ky njeri, pasi të gjithë e dimë se organizimin e bën bashkia, në bashkëpunim me qeverinë dhe federatën Europiane e atë Italiane të peshëngritjes. Duhet ta dini miq, që e gjithë infrastruktura për organizimin e garës sillet nga Italia. Duke filluar që nga platforma e pedanës së garës dhe çdo gjë tjetër. Ja pra, të dashur miq, përse Gudari s’duhet lejuar as edhe një minutë të vetme.

Unë për këtë kritikova ish-presidentin Gjoza, për afrimin dhe kompetencat që i dha Gudarit. Gudari është personi më i sprovuar në peshëngritjen shqiptare. Ai, nga problemet që krijonte në këtë komunitet, qysh nga viti 1987 e më pas, ka patur dhe krijuar polemika me shumë drejtues të peshëngritjes, si: N.Buneci, H.Agalliu, V.Dervishi, F.Berberi, E.Ademi, P.Hoxha, H.Shaqiri, F.Nebia e të tjerë. Si rezultat i kësaj sjelljeje ka qenë shpeshherë i larguar nga drejtuesit e federatës. Nëse doni, apo duhet një president i përkohshëm, keni plot personalitete.

Më shumë nga Forum