Europa League

Opinion / KF Skënderbeu, Radas & Co dhe futbolli shqiptar

Skënderbeu ka arritur një sukses që dhe më të mëdhenj se ne në futboll do ta dëshironin, p.sh. kroatët e Dinamos së Zagrebit, që mbetën me gisht në gojë. Dhe kur arrin sukses, feston, pra kemi të bëjmë dhe me momente euforie.

E në momente të tilla mendoj unë se gazetat e gazetarët sportivë e josportivë, portalet, specialistët, qytetarët dhe tifozët e thjeshtë gabojnë në një pikë, pikërisht në atë që e quajnë Skënderbeun përfaqësues në arenën ndërkombëtare të futbollit shqiptar. E përsëris, mendoj unë kështu.
Kam mendimin se Skënderbeu nuk përfaqëson futbollin shqiptar, por kampionatin shqiptar ku ai merr pjesë dhe është në elitën e tij, kampionat i cili, sipas koeficentëve përkatës të UEFA-s, dërgon përfaqësuesit e vet në aktivitetet europiane, Champions dhe Europa League.

Pra, nuk kanë lidhje me futbollin shqiptar lojtarët afrikaneëa serbë të Skënderbeut. Ata, si dhe kolegët e tyre të tjerë të huaj, janë të punësuar përkohësisht pranë klubeve shqiptare të kampionatit shqiptar. Prandaj, ata i mbështesim për sa kohë që tregojnë rendiment të kënaqshëm në fushë, duke rritur nivelin e kampionatit shqiptar, që sot po prodhon përfaqësues të tij të aftë e të kacafyten me ata që para pak vitesh nuk na kishin në listë. Qoftë dhe për mëkatet e klubeve shqiptare…

Pra ne, shqiptarët dhe futbolli ynë, nuk ndihemi të përfaqësuar nga ata, nga të huajt e kampionatit tonë tashmë konglomerat racash dhe ekipet e tyre përkatëse në arenën ndërkombëtare. Dhe s’ka se si të ndihemi të përfaqësuar nga Radas, Ali Sowe, Nimaga apo Segun James Adeniyi me shokë. Ashtu si dhe futbollin gjerman nuk e përfaqëson as Roben, as Aubameyang, por përfaqësuesja gjermane!

Urime Skënderbeut dhe mëkat që shorti nuk i rezervoi kundërshtarë më atraktivë në grupin e tij, në Europa League, por çdo rezultat pozitiv i mëtejshëm i tij është një reklamë pozitive për futbollin tonë, për kampiontin shqiptar dhe imazhin e tij. Dhe ne ndihemi krenarë me të dhe sukseset e tij. Por futbollin shqiptar, Shqipërinë, kombin tonë, ne të gjithë shqiptarët na përfaqëson në mënyrë të patjetërsueshme vetëm Kombëtarja jonë.

Më shumë nga Europa League