Peshëngritje

Opinion / Mos iu bind vendimeve, që bien ndesh me interesat e peshëngritjes!

Nga PETRIT HOXHA
Po bëhet një muaj që drejtimin e sportit më në zë në Shqipëri, Peshëngritjen, e ka marrë njeriu, për të cilin personalisht lobova: Theodhori Masllavica. Jam i befasuar kur lexova në gazetë prononcimin e Masllavicës përkrah vendimit të çuditshëm të KOKSH-it! Do t’i bindemi vendimit të KOKSH-it, citohet në përgjigje të gazetarit nga ana e presidentit të porsazgjedhur…!!

Gabim! Nuk je aty për t’iu bindur vendimeve që bien ndesh me interesat e sportit legjendarë të peshëngritjes, por për të kundërshtuar e luftuar me këdo; duke filluar nga më i thjeshti e duke mbaruar te kryeministri; kur shef se cënohet çfarëdo elementi që ka lidhje me këtë sport!

Ndërkohë, i dashur Dhori, të gjithë atyre e këtyre, njerëz të rëndësishëm të politikës, qeverisë e biznesit; apo zyrave e dikastereve eprore e përgjegjëse për ju e mbarë peshëngritjen, duhet t’u ishe paraqitur me një platformë të qartë, të pastër e perspective. Këtu e kam fjalën për mënyrën e re të drejtimit të këtij sporti, duke filluar nga klubet nëpër rrethe, deri në kupolën e federatës.

Koha nuk pret dhe të gjithë duhet të dimë për hapat e ndërmarrë, pasi sporti kërkon shpejtësi dhe prioritetet, ndaj platforma duhet të prezantohet urgjentisht. Nën moton “një peshëngritje pa drogë”, puna duhet të fillojë menjëherë.

Momentalisht ke në duar 3 sportistët më të mirë shqiptarë, që janë më të vlefshëm se i gjithë delegacioni i marrë se bashku, që do të marrin pjesë në lojrat e ardhshme mesdhetare. Ndaj, kujdes dhe vazhdimësi në zgjidhjen e këtij ngërçi të çuditshëm. Në shpresë mirëkuptimi dhe mbështetje!

Më shumë nga Peshëngritje