Mix Vendi

Opinion / Një paqartësi e madhe, apo skandali i radhës?!

Nga PETRIT HOXHA
Këto ditët e fundit një paqartësi e madhe po trajtohet si skandal i radhës. Kësaj here mes KOKSH dhe peshëngritjes…! Kam qenë unë, i pari që jam mërzitur për ngjarjet e pakëndshme, ndaj kam reaguar e shkruar në mbrojtje të peshëngritësve tanë. Por, shkrimet dhe prononcimet e sportistëve më në zë në Shqipëri dhe heshtja e plotë e drejtuesve të federatës, më krijon një shije e mendim jo të mirë!

Të dashur sportistë peshëngritës, ju që keni sakrifikuar e sakrifikoni çdo gjë për sportin, ju që krijoni emocione pa fund për mbarë opinionin shqiptar, brenda e jashtë kufijve, në çdo moment kam qenë e jam me ju. Por, më duhet t’ju them drejt e pastër se keni mbi vete trajnerë, “specalistë”, inspektorë e shefa klubesh nëpër rrethe, federatë me të gjithë organizmat e saj dhe të gjithë këto të sipërpërmendur nuk prononcohen.

Ata fshihen dhe ju nxjerrin zbuluar në çdo formë, vetëm e vetëm për të mbuluar paaftësinë dhe zullumet e tyre. Ato “specialistë”, që kënaqen duke ju parë të çorganizuar në kërkesat tuaja të drejta, së pari duhet të kryejnë detyrat dhe detyrimet e tyre, si ndaj jush, sportistë të nderuar, ashtu edhe ndaj institucioneve, që institucionalisht kanë marrëdhënie. Sportistëve, para se t’u thohet të bëhen të dhunshëm, duhet t’u tregohet e vërteta e rrjedhës së ngjarjeve.

E në rast se fedarata, me kryesinë e sekretarin e vet, s’janë e s’kanë qenë në lartësinë e detyrës, atëherë përgjegjësia duhet sqaruar ligjërisht. Ata që shkatërruan peshëngritjen të penalizohen nga vetë trupa e peshëngritësve shqiptarë. Nuk bëhet fjalë për të fituar një garë ndërkombëtare më shumë apo më pak, por për të vënë në udhë të mbarë një sport me shumë vlera e reputacion në Shqipëri, për të patur një staf mbarëdrejtues në gjithë vendin. E kam fjalën për staf profesionist, të ndershëm dhe të dashur për sportistët që përgatit dhe përfaqëson. Uroj qetësi, maturi dhe qëllim në shenjë të shkaktarëve të vërtetë!

Më shumë nga Mix Vendi