Kampionati Shqiptar

Opinion / Nuk ka kohë për të humbur, Vllaznisë i duhet ky trajner!

Nga PETRIT HOXHA
Një thirrje që më mundon: Si shkodran dhe si një bashkëjetues për disa dekada me sportin e këtij qyteti, si sportist e trajner e ndiej për detyrë të shpreh mendimin tim për të ardhmen e futbollit shkodran. Të flasësh sot për çdo element negativ, që futbolli shkodran ka treguar vitet e fundit, është fare e thjeshtë. Por, më mirë, pa humbur asnjë ditë kohë, unë preferoj të flasim për të ardhmen!

Problemi më i rëndësishëm dhe më urgjent për zgjidhje është stafi i ri drejtues. Këtu duhet të përqendrohet vëmendja e kujtdo që e ka në dorë këtë gjë. Gjithsesi, këtu do të kërkoja edhe angazhimin kurajoz dhe inteligjent të shoqatës së tifozërisë shkodrane. Personalisht mendoj se trajneri i ri, që do të vendoset, duhet të jetë Taip Piraniqi.

Vllaznia me gjithë administratën e vet, sportdashësit shkodranë, investitorët e ndryshëm, apo edhe çdo njeri tjetër, që ka fuqi vendimmarrjeje për zgjedhjen e trajnerit të ri, duhet t’i vendosin fatet e futbollit të Vllaznisë në duart e Taip Piraniqit, për disa arsye:
1.Vllaznisë i duhet një trajner shkodran për bagazhin e madh teorik e praktik që personazhe të shumtë të futbollit në këtë qytet kanë.

2.Vllaznisë i duhet trajner korrekt, kërkues, me integritet të lartë profesional, inteligjent dhe i pakorruptuar.
3.Vllaznisë i duhet trajner që të shërbejë si barrierë e ndërhyrjeve të ndyra dhe injorante të politikës në futboll.
4.Vllaznisë i duhet trajner që njeh shumë mirë futbollin shqiptar dhe aq më tepër sot, edhe atë të kategorisë inferiore.

5.Vllaznisë i duhet trajner serioz, racional, i prerë në vendime dhe i qartë në objektiva.
6.Vllaznisë i duhet trajner që të largojë njëherë e mirë shfaqjet antisportive në çdo ambient sportiv, brenda dhe jashtë fushë, të cilat ndodhin aty ku dora dhe autoriteti i trajnerit është i dobët.
7.Vllaznisë i duhet trajner që të komunikojë qartë e bindshëm me mediat sportive.
8.Vllaznisë i duhet trajner që njeh mirë qytetarët e Shkodrës dhe pritshmëritë e tyre; i respekton dhe respektohet prej tyre.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar