Forum

Opinion / Oshëtima e një goli magjik!

Ndodhi tridhjetë vjet më parë. Sokol Kushta bëri pak djathtas në hyrje të zonës së rreptësisë së Partizanit të Beogradit, gjuajti fort dhe ia fshiu merimangat trekendëshit të majtë të portës serbe. Unë brofa në këmbë, sipër divanit të kuzhinës dhe… O Zot, sa kam bërtitur! Pastaj dola në aneks dhe hapa dritaren e ulërija nga kati i pestë. Gooooool! Si unë, të gjithë komshinjtë. Pallatet silikate sikur u afruan nga oshëtima e atij goli magjik, që eliminoi Partizanin serb. TV i Beogradit e mbylli transmetimin me një stop-kamera mbi një tufë lulesh jetimi mbi barin e gjelbër. Nuk ishte vetëm gëzim sportiv. Ishte gëzim patriotik, si e mendonim ne atë kohë. Ishte për kokën lart të kosovarëve! Flamurtari i asaj kohe ishte flamur i vërtetë me shkabë. Flamur i… ”Skënderbeut”!
Nesër, në “Elbasan Arena” vjen Partizani serb. Edhe ujin e kanë marrë me vete. Tifozë serbë nuk do të ketë në stadium. As tanët nuk do të jenë në Beograd. Partizani ka porositur kek dhe akull…, shumë akull! Krushqit akoma janë të ngrirë. Por, “Elbasan Arena” do të jetë i nxehtë. Do ta nxehë oshtëtima e golit të Skënderbeut, si në kohën e… Sokol Kushtës!

Më shumë nga Forum