Forum

Opinion / Partizani e nisi keq, por kjo ndodh kudo…

Nga prof.dr. XHEVDET ZEKAJ
Dua të besoj se humbja me Laçin ishte një fillim i keq, por kjo ndodh kudo. Bajerni u mund nga Hoffenheim, Reali ka lënë 4 pikë brenda në “Santiago Bernabeu”, Arsenali po kështu, etj. Ndodh, java e parë gjithmonë ka të tilla rezultate. Faza përgatitore, grupi, të ardhurit, të larguarit, mentaliteti i trajnerit të ri, idetë e tij, dëmtimet, disiplina etj., etj., të gjitha mund të ndikojnë, por kjo humbje më shumë është një kambanë për t’u shkundur, për t’u zgjuar sa më shpejt të jetë e mundur. Nga Partizani u larguan Starova, Cvetkovic, Ramadani, Ekuban, Torrasa etj., jo pak për të prishur ekuilibrat dhe grupin, jo pak për ta filluar mbarë e për t’i konfirmuar ambiciet maksimaliste, ashtu si investimet, e presidentit Gaz Demi. Partizani e humbi këtë ndeshje dhe me Hoxhën e Bathën shtohet më shumë grupi i mungesave, ndërkohë që u pa qartë se formacionit në fushë i mungonte kolaudimi, kohezioni mes reparteve.

Vërtet qarkullimi i topit ishte pronë e “demave të kuq”, në masë të konsiderueshme, vërtet Iuliano i kishte orientuar të tijtë drejt futbollit të bukur, por në sport ka rëndësi, në fund të fundit, rezultati. Pra, nuk mund të ketë justifikime kur mungojnë pikët, aq më tepër të Partizani, që duhet të mos përsërisë gabimet e dy sezoneve të kaluara, kur e ka humbur titullin ndaj skuadrave të konsideruara dytësore, apo të vogla. Edhe përse humbi, Partizani lujati futboll. Edhe pse me një grup të ri lojtarësh, u pa një Partizan që qarkullonte topin, kishte ide, luante mirë, por lojtarët ende nuk ishin në gjendje të sinkronizoheshin në veprime e të bashkëpunonin. Partizani humbi një ndeshje, por më e madhe do të jetë pasoja nëse humbet grupin, nëse krijon situata problematike, sepse pastaj, si thonë në Labëri, “ik tutje, të hëngrët tenja, se të keqen e ke brenda”. Mendoj se nuk ishte fundi i botës, thjeshtë një hap fals, një aksident sportive, që ka shumë e shumë javë e mundësi rikuperimi. Ky Partizan më bën të shpresoj se, së bashku me Kukësin, Skënderbeun, Flamurtarin dhe Tiranën (në ndeshjet e Kupës) do të vazhdojnë të jenë në kreun e futbollit shqiptar.

Më shumë nga Forum