Forum

Opinion / Tirana dhe Kukësi, ja që ndodhi sipas skenarit…

Ndodhi ekzaktësisht ashtu sikurse ishte parashikuar në skenar: Tirana-Kukësi 0-0 në çerekfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Nga ADRIATIK R.DOSTI
Ndodhi ekzaktësisht ashtu sikurse ishte parashikuar në skenar: Tirana-Kukësi 0-0 në çerekfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë. Dhe meqenëse Tirana e kishte fituar takimin e parë në kryeqytet (2-1), ajo siguron një vend për në gjysmëfinalen e këtij aktiviteti. Tashmë zyrtarisht, Kukësi drejt titullit kampion dhe Tirana me një dorë te Kupa. Shumë i luftuar takimi në Kukës, ku mbetën “të vrarë” nga “11 heronj” për secilën skuadër, dy trajnerë të dëmtuar rëndë (mendërisht e psikologjikisht, sepse për moralisht as që bëhet fjalë), shumë tifozë të të dyja skuadrave zemërthyer. Fatmirësisht, dy presidentët e klubeve, Gjici dhe Halili, janë jashtë rrezikut për jetën e po kurohen në një… restorant luksoz e piktoresk të qytetit verilindor shqiptar…

…Dekori në ”Zeqir Ymeri” për këtë takim ishte vërtet fantastik, i tëri bardhë e blu. Vendasit ishin veshur tërësisht në blu, ndërsa miqtë komplet me të bardhë, ngjyrë kjo paqësore e që “sjell fat”. Të parët që zbritën në dhomat e zhveshjes për t’i uruar futbollistët protagonistë të kësaj “beteje” ishin dy presidentët e ”pakompromentueshëm”, Gjici e Halili. Dy trajnerët shumë ”të kujdesshëm” në deklaratat e formacionet e tyre, Josa dhe Gjoka, si dhe dy sulmuesit kryesorë të Kukësit, Pejiç dhe Emini, të cilët ”për shkak dëmtimi” u detyruan ta ndiqnin takimin në shkallët e tribunës VIP, në krahë të Gjicit e Halilit. Thuhet se pas kësaj ndeshjeje model e “fair-play”, zyrtarë të lartë të UEFA-s, që asistuan në këtë takim, kanë vendosur ta pranojnë sinqerisht e zyrtarisht kërkesën dhe kandidaturën e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Sipas shortit, ka të ngjarë që tashmë Tirana, e cila ka eliminuar Kukësin, në turin tjetër të ndeshet me fituesin e çiftit …Real Madrid-Napoli!

Më shumë nga Forum