Futboll

Özil surprizon: E ardhmja ime nuk varet nga Wenger

Mesut Özil di gjithnjë të krijojë lajm, madje edhe jashtë fushe. Mesfushori i Arsenalit së fundmi është shprehur se e ardhmja e tij nuk varet nga ajo që do të ndodhë me trajnerin Arsene Wenger. Gjermani ka edhe një vit tjetër kontratë dhe prej muajsh përflitet se do të largohet nga “Topçinjtë”, sepse ende nuk ka rinovuar, por në një intervistë për gazetën “Bild” ai ka kthyer përmbys gjithë situatën, duke mos e përjashtuar mundësinë që të vazhdojë aventurën e tij në Londër.

“Gjithçka është e hapur. Kam biseduar me klubin. Tani jam i përqendruar te sezoni aktual. Wenger ishte një nga arsyet kryesore pse shkova tek Arsenal, por e di se nganjëherë gjërat ecin shpejt në futboll dhe nuk mund të bësh planifikime. Ja pse do të ishte e gabuar të them se e ardhmja ime varet nga trajneri”, – është shprehur Özil. I pyetur për kritikat e fundit, ai u përgjigj: “Më kanë shoqëruar që në fillim të karrierës, por tani më është regjur lëkura dhe përpiqem të mos kenë ndikim tek unë.”

 

Më shumë nga Futboll