Futboll

“Pa Brazilin, asnjë nuk ka për ta parë më Botërorin”

Brazili 5 herë fitues i Kupës së Botës në futboll u eliminua nga Botërori “Rusi 2018”, pasi u mund në çerekfinale nga Belgjika. Për ish-futbollistin e kombëtares italiane Christian Vieri, tashmë ky turne ka humbur bukurinë, pasi janë larguar të gjitha ekipet më të mëdha e veçanërisht Brazili. “I kujt është faji? I të gjithëve. Për eliminimin e Brazilit do t’ia vendosin fajin Neymar, por një Botëror pa Brazilin nuk ka kuptim”, tha Vieri.

Tani nuk ka për ta parë kush Botërorin, pasi nuk janë Brazili, Argjentina, Spanja, Gjermania, Portugalia. Për mua, Brazili ishte skuadra më e fortë e Botërorit. Personalisht do të kisha preferuar që Firmino të luante titullar që nga fillimi, por duhej të hiqte Neymar dhe nëse trajneri Tite do të bënte këtë gjë, do ta vrisnin”, tha Vieri.

Duke folur për skuadrat që deri më tani kanë shkuar në gjysmëfinale, Bobo Vieri, kampion bote me Italinë në vitin 2006, shtoi: “Franca e Belgjika kanë përbërjet më të mira nga ekipet e mbetura në Botëror. Lukaku më ngjan mua, por është më i shpejtë. Edhe Mbappe është i fortë, do të jetë shumë shpejt më i miri në botë, por nuk do të krahasohet kurrë me Ronaldo (fenomenin). Ai ishte i një kategorie tjetër”, tha Bobo Vieri.

Më shumë nga Futboll