Boks

Pacquiao me trupat anti-ISIS: Së shpejti do të jem krah jush në betejë

I veshur me një uniformë ushtarake dhe në prani të mediave vendase, boksieri filipinas Manny Pacquiao ka vizituar sot trupat ushtarake të Filipineve, që duelojnë në jug të vendit me forcat terroristë të ISIS. 38-vjeçari, një ikonë e boksit botëror, është sportisti më i dashur në vendin e tij edhe pse në fillim të këtij muaji humbi titullin kampion në kategorinë WBO (pesha welter) në duelin me Jeff Horn. I lindur nga një familje e varfër ai u bë një milioner falë talentit të tij në boks, por prej një viti ai është bërë Senator në Filipine.

Pacquiao ka takuar trupat ushtarake filipinase në qytetin e Marawi, që luftojnë terrorizmin në vend. Sipas qeverisë, betejat e ashpra kanë sjellë deri më tani 630 viktima, nga të cilët 471 janë terroristë të ISIS, 114 ushtarë dhe 45 civilë. “Ju jeni heronjtë e vërtetë, jo Many Pacquiao. Unë jam vetëm një boksier, ndërsa ju jepni jetën tuaj për vendin. Shpresoj që të rikthehem këtu një ditë dhe t’ju falënderoj kur të keni mbaruar punë. Dhe nëse betejat vazhdojnë ende, kur të rikthehem do të jem krah jush në betejat e mbetura”, tha Manny Pacquiao.

Më shumë nga Boks