Futboll

Pacult: “Nënvlerësimi i Partizanit do të ishte gabim i rëndë!”

Në vigjilje të supersfidës së javës së 20-të që skuadra e Kukësit do të diskutojë të hënën në kryeqytet ndaj Partizanit, të vlefshme për vendin e tretë të klasifikimit të Kategorisë Superiore, trajneri i verilindorëve, Peter Pacult ka bërë një analizë të asaj që është aktualisht atmosfera në kampin e kampionëve në fuqi, sikurse dhe për vlerat e kësaj përballje direkte me të kuqtë. Në favor të skuadrës së Kukësit dhe trajnerit Pacult është padyshim kualifikimi i verilindorëve në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, pasi triumfuan ndaj Tiranës, që do të shërbejë si një karikim moral për kampionët, por gjithashtu edhe mungesa e disa prej futbollistëve kryesorë të Partizanit, të skualifikuar.

 

 

“Fitorja në Kupë na ka rikthyer vetëbesimin, ndaj dhe përqendrimi për ndeshjen e radhës është i madh. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të arrijmë fitoren. Partizani është një ekip shumë i mirë dhe do të jetë e vështirë që t’i mundim, por besoj se do të bëjmë maksimumin që të marrim tre pikët. Nuk jam një trajner që shikon shumë larg. Objektivi është që skuadra të marrë pikë nga ndeshja në ndeshje. Nëse kjo do të realizohet, mendoj që kemi kualitetin të arrijmë aty ku dëshirojmë. Gabimi më i madh do të ishte nënvlerësimi i Partizanit. Kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë, pasi e kemi të qartë se për çfarë ekipi bëhet fjalë dhe mendoj që rivalët kanë mjaftueshëm lojtarë. I kam kërkuar lojtarëve të mi që të mos e mendojnë se mungesa e disa futbollistëve kundërshtar na favorizon. Dëshiroj gjithmonë që të përballem me ekipin më të mirë të kundërshtarëve. Ashtu ndeshja përgatitet në mënyrë tjetër, ndërsa me mungesa ekziston edhe elementi i befasisë”, deklaori ndër të tjera trajneri i Kukësit, Peter Pacult.

Më shumë nga Futboll