Connect with us

Kampionati Shqiptar

Paguan FSHF-ja, Korabi-Partizani luhet në “Selman Stermasi”

Partizani rikthehet në “Selman Stermasi”, kësaj here jo si pritës, por udhëtues. Nuk bëhet fjalë për një derbi kryeqyteti,

Partizani rikthehet në “Selman Stermasi”, kësaj here jo si pritës, por udhëtues. Nuk bëhet fjalë për një derbi kryeqyteti, me Tiranën, por për ndeshjen e javës së 26-të të Kategorisë Superiore, ndaj Korabit të vendit të fundit. Klubi dibran ka pranuar zgjedhjen e FSHF-së për të luajtur në impiantin bardheblu, ngaqë nuk ka pasur alternativë tjetër. Madje, mësohet se paratë do të dalin nga arkat e federatës, sepse Korabi ka thënë se nuk ka mundësi financiare të paguajë më për të luajtur. Duke qenë se ra përfundimisht poshtë pista e stadiumit të Peshkopisë, drejtuesit e debutuesve në Superiore ia kanë bërë të qartë FSHF-së se nuk paguajnë dot për stadiume të tjera. Madje, qeveria jonë e futbollit është vënë edhe para “ultimatumit”: na përjashtoni po deshët.

Kjo do të sillte prishjen e garës, ndaj federata ka qenë e detyruar të nxjerrë ca para nga arka e vet, gjë të cilën do të duhet ta bëjë deri në fund të kampionatit me dibranët si pritës. Por, a do të jetë Korabi i dorëzuar edhe në fushën e lojës? Trajneri Gerd Haxhiu, edhe pse një ish i Partizanit, ka premtuar betejë të ndershme. Nga vjen ky frymëzim, kur skuadra e tij e ka prerë biletën për një kategori më poshtë, kjo vështirë të thuhet. Kuptohet, rivalët për titull bëjnë luftë indirekte mes tyre edhe jashtë fushës së blertë. Thënë ndryshe, nuk përbën fare çudi që Korabi të stimulohet financiarisht për të penguar Partizanin kësaj here, meqë Skënderbeu dhe Kukësi përplasin direkt “brirët” mes tyre. Zëra të tilla qarkullonin edhe për javën e shkuar, se korçarët ua kishin “lyer qerren” dibranëve për të bërë ndonjë surprizë në “Zeqir Ymeri”, por kur panë situatat konkrete, kuptuan se e kishin të pamundur.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar