Kombëtarja

Panucci: Nuk ka lidhje fare avioni. Cikalleshi theu disiplinën

Çështja “Cikalleshi” ka qenë sërish objekt i konferencës për shtyp të Panuccit. Madje, ajo ka bërë që tekniku italian të ngrejë edhe zërin në përgjigje të gazetarit përkatës: “Është thyerje disipline. Avioni nisej në orën 8 të mëngjesit dhe mua më morën në orën 9. Nuk ka lidhje fare avioni. Cikalleshi duhet të vinte në Shqipëri dhe më pas menaxheri të bënte çfarë të donte. Të udhëtonte në Tiranë për t’i sjellë kontratën. Në Tiranë ka dhjetra qendra klinike, ku mund të bënte vizitat mjekësore. Kjo nuk është normale. Nëse dikush më merr në telefon dhe më thotë kam djalin sëmurë, a mund të vij dhe një ditë më vonë, kjo shkon, pasi familja është e rëndësishme. Por jo në kombëtare. Jo në Kombëtare të mungosh se duhet të firmosësh një kontratë. Nëse ndodh që njëri të vijë sot dhe tjetri nesër, Shqipëria shkon në nivelin zero. Këto janë gjërat që ndodhin edhe në familje.

Dikush ha darkë në 8, dikush në 9 apo në 10. Por këtu nuk jemi në shtëpi, jemi në skuadrën përfaqësuese. Është një grup i shkëlqyer lojtarësh, që e ndiejnë thellësisht faktin që luajnë për Shqipërinë dhe janë shqiptarë. Gjatë punës duhet të jesh serioz dhe ata janë gjatë gjithë kohës. Natyrisht, duhet të jemi koshientë, i japim më shumë imazh Shqipërisë kur fitojmë. Të gjithë jemi të lumtur, ndërsa kur nuk fiton, nuk është më e njëjta situatë. Unë dua që lojtarët e mi, kur të vijnë në ekipin kombëtar, të ndihen mirë. Për këtë duhet të ketë një respekt karshi fanelës që veshin. Pa respektin e orareve dhe rregullave të FSHF-së, kombëtarja kthehet në një cirk. Unë nuk dua që ndonjë prej lojtarëve të ndihet më i mirë, apo më i keq se sa tjetri. Për të qenë edhe më i qartë, ekipi kombëtar nuk është një vend, për të cilin mund të kërkosh leje për të ardhur një ditë më vonë. Shumë lojtarë kanë firmosur me skuadrat e tyre falë kombëtares”.

Më shumë nga Kombëtarja