Connect with us

Kampionati Shqiptar

Partizani i bashkangjitet kreut, Laçi fiton “finalen” e mbijetesës

U luajtën sot dy ndeshje të tjera të javës së 26-të të Kategorisë Superiore, mbas supersfidës së një dite më parë, Skënderbeu-Kukësi 1-1,

Korabi-Partizani 0-2
Golat: Prençi 31′ (aut), Ekuban 32′
Korabi: Laço; Shabani, Prençi, Kaja, A.Peposhi (Kaloshi 7′); Zefi; Jubani (Marinaj 74’), Gavazaj, Arifaj, Mziu; Ivani (G.Kaloshi 46′).
Trajner: Gerd Haxhiu
Partizani: Hoxha; Fejzullahi, Ibrahimi, Malota, Trashi; Ramadani, Vila, Cetkoviç; Bardhi (Boniface 65’), Fili (Sukaj 71’), Ekuban.
Trajner: Sulejman Starova
Gjyqtar: Laver Alla
Kartonë të verdhë: Mziu, Shabani, Zefi

………………………………………………………………………………………………………………………

Laçi-Flamurtari 1-0
Golat: Nika 58’
Laçi: Selmani, Lulaj, Qaqi, Gjoni, Sefgjini, Lushkja (Jonuzi 80’), Vucaj, Nika (Shala 72’), Musaj (Abraham 89′), Serxhio, Mensah. Trajner: Bledar Sinella
Flamurtari: Halili, Jakovljeviç, Veliu, Kuqi, Mersini, Telushi, Neziraj (Dushku 46’), Shkodra (Hyseni 61′), Galiç, Alvesh, Bushiç (Shehaj 67’). Trajner: Shpëtim Duro
Gjyqtar: Enea Jorgji
Kartonë të verdhë: Sefgjini, Lushkja, Musaj / Galiç, Veliu

U luajtën sot dy ndeshje të tjera të javës së 26-të të Kategorisë Superiore, mbas supersfidës së një dite më parë, Skënderbeu-Kukësi 1-1, dhe para dy duleve përmbyllëse të së dielës, Luftëtari-Tirana dhe Vllaznia-Teuta. Kreu i Superiores bëhet me “dy koka” tashmë, teksa kuksianët dhe të kuqtë bashkëndajnë gjithçka, me nga 52 pikë secili. Skënderbeu zbret në vendin e tretë, me dy pikë më pak. Vazhdon, kësisoji, beteja e fortë për titullin, që do të ketë një kulm tjetër paraprak javën vijuese (mbas ndeshjeve të kombëtares), kur të përplasen direkt Partizani me Skënderbeun. Sikurse pritej, të kuqtë kanë kaluar pa shumë probleme Korabin, në ndeshjen e luajtur në “Selman Stermasi”.

Starova ka kursyer ndonjë element, por nisur edhe nga të lënduarit, i kishte “përzier kartat” në formacionin e vet. U desh një autogol i Prençit, që kjo sfidë të zhbllokohej në minutën e 31-të, ndërsa pa kaluar 60 sekonda, Ekuban dyfishon shifrat. Çlirohen psikologjikisht “demat”, që vrasin frikën dhe makthin e përplasjeve të tilla me të pashpresë, të cilat ndonjëherë vërtetojnë shprehjen “i mbyturi të mbyt”. Pjesa e dytë është thuajse formalitet, sepse dibranët nuk kanë forca për të reaguar, ndërsa Partizani menaxhon forcat dhe avantazhin. Ka debutuar me të kuqtë për këtë sezon edhe Xhevahir Sukaj, si për të “nxehur motorrët” para pjesës më të rëndësishme të kampionatit.

Në Laç është luajtur “finalja” e mbijetesës, mes vendësve dhe Flamurtarit. Në prani të një numri të konsiderueshëm tifozësh bardhezinj, teksa hyrja në stadium ka qenë falas, skuadra e Bledar Sinellës ka pasur iniciativën, ka krijuar raste për finalizim, por s’ia ka dalë në 45 minutat e para. Mbrohen me forca të shumta vlonjatët dhe tentojnë të godasin përmes kundërsulmit. Danilo Alvesh dhe Bushic neutralizohen mirë, sidoqoftë, nga vendësit, edhe për shkak se janë të shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës së tyre. Pjesa e dytë i ka shtuar përpjekjet e të dyja skuadrave, që synojnë medoemos fitoren.

Shpëtim Duro shton dy sulmues, si Dushku dhe Shehaj në fushë, mirëpo goli do t’u buzëqeshte kurbinasve në minutën e 58-të. Eshtë shkodrani Ansi Nika, ai që ka mposhtur më në fund Halilajn, i cili kësaj here është i detyruar ta nxjerrë topin nga rrjeta e vet. Zhbllokimi i rezultatit bën me krahë vendësit, që tashmë mendojnë të mbrojnë avantazhin dhe tri pikët, tepër të çmuara në luftën për mbijetesë. Flamurtari nuk ia del as të barazojë, edhe pse me kalimin e minutave e ka rritur dukshëm lojën e vet. Mbas kësaj jave, bardhezinjtë këmbejnë vendet me kuqezinjtë. Këta të fundit spostohen të nëntët në klasifikim, me 22 pikë, ndërsa bardhezinjtë ngjitet të tetët, me 25 pikë.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Kampionati Shqiptar