Connect with us

FSHF

Partizani “çmonton” raportin e punës 1-vjeçare të FSHF-së

Kjo është fjala e plotë e drejtorit të përgjithshëm të Partizanit, Genc Tomorri, e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme

Kjo është fjala e plotë e drejtorit të përgjithshëm të Partizanit, Genc Tomorri, e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, ku kritikon dhe sugjeron, gjë të cilën s’e mori mundimin ta bëjë asnjë klub tjetër: “Nga analiza e materialit të përgatitur nga FSHF-ja, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, konstatojmë disa problematika, të cilat vlerësojmë se duheshin paraqitur në mbledhjen e datës 14.03.2017. Krahas arritjeve dhe punës së kryer nga FSHF-ja për pjesëmarrjen e kombëtares në Kampionatin Europian “Francë 2016” dhe kontributin e dhënë për anëtarësimin e FFK-së në FIFA e UEFA, të cilat i përshëndesim, vihet re se, për sa i përket punës konkrete të strukturave për organizimin e garave sportive në vend, si dhe punës konkrete të Komisioneve të Etikës, të Disiplinës apo dhe Dhomës së Zgjidhjeve të Konflikteve, pranë kësaj organizate, ka një mungesë të theksuar informacioni në raportim dhe nuk paraqitet asnjë indikator konkret mbi të cilat mund të bëhen vlerësime, ngrihen çështje apo pyetje konkrete, të cilat mund të përbëjnë interes për diskutim.

Sa i përket sistemit të drejtësisë sportive ekzistuese mund të bëhen një sërë komentesh, të cilat i çmojmë të domosdoshme për përmirësimin e tij. Jemi të mendimit se krijimi i një shkalle të lartë arbitrazhi në nivel federativ është nevojë urgjente për cilindo aktor të futbollit vendas, si garanci e një procesi të rregullt e ligjor. Është i papranueshëm fakti se sistemi gjyqësor sportiv shqiptar ka vetëm dy shkallë gjykimi (Komisioni i Disiplinës dhe Komisioni i Apelit) dhe në rastin e sistemit të zgjidhjes së konflikteve kemi vetëm një shkallë. Kjo mënyrë rregullimi dhe funksionimi cënon rëndë parimet kushtetuese, të zbatueshme për proceset gjyqësore. Siç dihet, ankimimi i vendimeve të organeve juridike të FSHF-së behet vetëm në CAS. Duke marrë në konsideratë kostot, afatet dhe procedurat e këtij organi ndërkombëtar, ankimimi në vetvete bëhet i pamundur, duke i dhënë vendimeve të organeve juridike të FSHF-së një natyrë të kundërt me atë çfarë duhet të kenë. Për këtë, është një nevojë urgjente krijimi i Komisionit të Arbitrazhit Federativ, si shkalla më e lartë në rang vendor për gjykimin e konflikteve me karakter disiplinor, apo kontraktor në futboll.

Krijimi dhe konstituimi i Komisionit të Arbitrazhit Federativ është një praktikë krejt e zakonshme e federatave europiane. Është një model që gjen aplikim prej më shumë se dy dekadash në Itali, Francë, Gjermani, Angli, Poloni, Greqi, Serbi etj. dhe ka dhënë rezultate mëse të kënaqshme. Krijimi dhe konsitituimi i Komisionit të Arbitrazhit Federativ kërkon një punë të karakterit teknik, veçanërisht në amendimin e Kodit të Disiplinës Sportive dhe Rregulloren e DHKZK-së, të cilat, për hir të së vërtetës, janë në gjendje skandaloze edhe kështu siç janë. Kështu, në rregulloren DHKZK-së nuk gjenden të pasqyruara ndryshimet e fundit të karakterit procedural e material, që ka pësuar sistemi i drejtësisë sportive i FIFA-s, i cili padyshim ka përcjellë edhe në FSHF standardet e nevojshme që çdo organ juridik në rang vendor duhet të ketë. Nuk është e mjaftueshme puna për përkthimin e Kodit të Disiplinës dhe Rregulloren për Dhomat Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve të FIFA-s, por është një detyrim i FSHF-së që të ndërtojë një sistem drejtësie të pavarur, dinamik dhe efektiv. Ky detyrim merr një vlerë të dyfishtë, në kushtet kur klubet tona nuk kanë filluar akoma punën për ndërtimin e Ligës së Futbollit. Për këtë, Komisioni i Arbitrazhit Federativ duhet të jetë tërësisht i pavarur në aspektin institucional nga FSHF-ja dhe për këtë jemi të gatshëm që kostot administrative dhe operacionale të këtij organi të përballohen nga vetë klubet e palët e përfshira në proces, sipas kostove proceduriale.

Siç dihet, në mënyrë të përvitshme, në çdo fillimsezoni, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miraton “Rregulloret e Veprimtarisë Futbollistike” për secilën kategori. Ne vlerësojmë se përshirja e klubeve në këtë process, për të dhënë një opinion apo propozim mbi draftet që priten të miratohen, do të ishte një praktikë mëse normale dhe transparente. Megjithëse ne si klub, në mënyrë individuale, por edhe bashkarisht me klube të tjera, kemi mbështetur nisma dhe kemi propozuar pranë këtij organi ndryshime në rregulloret e veprimtarisë, si p.sh. rritja e numrit të lojëtarëve të huaj, të aktivizuar njëkohësisht, ose rritja e numrit të kartonëve të verdhë të akumuluar nga 3 në 5, rritja e numrit të lojëtarëve të stolit, jo vetëm që këto propozime nuk kanë gjetur mbështetje, por nuk është denjuar as të kthehet një përgjigje zyrtare, qoftë dhe e pargumentuar për kërkesat tona. Ne vlerësojmë se në këtë drejtim duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë mes FSHF-së dhe klubeve, që rregullat e futbollit të ndërtohen bashkarisht. Gjithashtu, duke qenë të vetëdijshëm që, sipas ligjit, FSHF-ja, si organizatore e eventve futbollistike në vend, ka tagrin për të shitur të drejtat televizive të secilit aktivitet, ne jemi të mendimit se për hir të transparencës, ky process duhet të bëhet në bashkpunim të ngushtë me klubet, si të interesuarit direktë të këtij përfitimi, por edhe si  përfitues të të ardhurave. Nga Raporti i presidentit për vitin 2016 ceken në vija shumë të përgjithshme fenomenet negative, që kanë shoqëruar futbollin në vend, si trukimet, problematika e dhunës verbale dhe fizike nëpër stadium. Aty jepen disa vlerësime mbi nivelin e gjykimit të garave.

Ne vlerësojmë se, për sa u përket këtyre fenomeneve, sidomos çështjes së trukimeve, raporti duhej të përmbante në mënyrë të detajuar punën konkrete të FSHF-së në këtë drejtim, si dhe punën konkrete të Komisionit të Etikës për kundërvënien ndaj këtij fenomeni tepër shqetësues. Në kohën kur çështja e trukimeve nga ekipe të caktuara shqiptare ka marrë përmasa ndërkombëtare, nisur nga masat e marra nga organizmat e huaj, si UEFA dhe CAS, nuk gjejmë asnjë pasqyrim konkret për luftën që është bërë, bëhet dhe do të bëhet ndaj këtij fenomeni. Çështja e trukimeve, si dhe i të ashtuquajturave “aleanca”, janë fenomene, të cilat duhet të na shqetësojnë të gjithëve, pasi njollosin mbarë futbollin shqiptar në përgjithësi, kanë ndikim në mënyrë të drejtpërdrejtë në imazhin e këtij futbolli, si dhe ulin në mënyrë drastike të ardhurat e përfitueshme nga klubet, duke ulur interesin  jo vetëm të sportdashësve, të cilët vijnë në stadiume, por edhe të subjekteve shqiptare e të huaja, të cilat mund të investojnë në futbollin vendas. Thuajse në çdo raport vjetor të presidentit në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme përmendet se fenomeni i trukimeve është ulur ndjeshëm, e në bazë të llogjikës së progresionit ky fenomen tanimë duhet të ishte i zhdukur tërësisht, por në fakt perceptimi i publikut dhe i komunitetit sportive, vendas dhe i huaj, nuk përputhet me vlerësimin e këtyre raporteve. Ne besojmë se, jo vetëm për arsyet e lartpërmendura, apo për pasojat që ky fenomen negativ sjell, por dhe për hir të edukimit dhe përgjegjësisë përpara sakrificave dhe mundit të 17.645 futbollistëve, apo sakrificave financiare të secilit klub, që ka vullnet për të bërë garë të ndershme, puna dhe fokusi i FSHF-së për t’iu kundërvënë kësaj problematike duhet të ishte më e ndjeshme dhe konkrete. Për këto arsye, duke qenë se në raportin e presidentit për vitin 2016 nuk paraqitet asnjë e dhënë konkrete mbi punën reale, kontributin dhe masat e marra nga Komisioni i Etikës ndaj fenomenit të trukimeve, si dhe duke patur parasysh rritjen e nivelit të përceptimit të këtij fenomeni, kërkojmë reformimin në tërësi të këtij komisioni dhe zëvendësimin e anëtarëve të tij.

Sa i përket çështjes së sjelljes së tifozëve në stadium, ne jemi dakord në parim me vlerësimin e FSHF-së, se kërkohet të rritet niveli i bashkëpunimit mes kësaj të fundit, klubeve dhe Policisë së Shtetit. Por, FSHF-ja, si organizatore e garave, sa takime pune apo seminare ka organizuar gjatë vitit 2016 për ndërgjegjegjësimin ndaj këtij fenomeni?! Asnjë! Në kushtet kur dihet se disa impiante sportive në vend janë të amortizuara dhe nuk plotësojnë kushtet e sigurisë, ndaj shpeshherë për këto shkaqe kanë sjellë dhunë, FSHF-ja nuk ka marrë asnjë masë konkrete, qoftë me investime të drejtpërdrjeta për përmirësimin e kushteve të sigurisë. Të paktën, në raport nuk paraqitet asnjë e dhënë konkrete në këtë drejtim! Ndoshta në këtë drejtim investimet e FSHF-së duhet të kishin një shpërndarje më të gjerë, drejt përmirësimit të kushteve të sigurisë për të gjitha stadiumet, që e mbartin këtë problematikë, sesa të prirej të investohej në shuma marramendëse për ndërtimin e stadiumeve gjigande në vend. Ne nuk jemi të mendimit se vetëm duke gjobitur në shuma të konsiderueshme klubet, apo duke i dënuar ato me zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë, është rruga e vetme për t’iu kundërvënë këtij fenomeni. Për më tepër, në raste të veçanta, për shkak të papërgjegjshmërisë së një pjese shumë të vogël të tifozëve, si dhe për shkak të neglizhencës së Policisë së Shtetit në kontrollet e kryera në hyrjen e stadiumeve, janë marrë masa të rënda ndaj klubeve dhe gjithë tifozërisë së tyre. Sa për statistikë, klubi ynë vetëm për këtë sezon futbollistik është dënuar gjithsej me 10 ndeshje pa tifozë dhe 500.000 lekë gjobë. Gjithashtu, veç elementëve të lartpërmendur, shpeshherë është konstatuar mungesë profesionalizmi nga zyrtarë të ndeshjeve, të cilët kanë lejuar fillimin e ndeshjeve, edhe pse dukshëm në ambientet e stadiumeve ka patur parregullsi në lidhje me prezencën e sendeve të forta në shkallët e tyre. Duke qenë se zyrtarët e ndeshjes sa vijnë e po bëhen edhe më aktorë kryesorë, jo vetëm para, gjatë apo pas zhvillimit të ndeshjes, por dhe përmes raportimeve të tyre mbi sjelljen problematike të tifozërisë në stadiume, të cilët më pas ndikojnë dhe në vendimmarrjet e komisioneve disiplinore pranë FSHF-së, nuk gjejmë asnjë të dhënë në raportin e presidentit në lidhje me përmirësimin e nivelit të tyre profesional. Për shkak të eksperiencës sonë në pjesëmarrjet në Kupat e Europës, delegatët e UEFA-s, pas përfundimit të ndeshjeve të organizuara, kanë dërguar një raport lidhur me problematikat e konstatuara nga ata mbi organizimin dhe ecurinë në tërësi të ndeshjes, ku ndër të tjera jepen dhe sugjerime për përmirësimin e masave organizative në të ardhmen.

Kjo praktikë, në vlerësimin tonë e dobishme, nuk ndiqet nga FSHF-ja, megjithëse vetë kjo organizatë e ngre në nivel shqetësimi fenomenin e sjelljes së tifozërisë në stadiume. Për sa i përket gjykimit të garave përshëndesim dhe inkurajojmë FSHF-në në trajnimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve me qellim rritjen e nivelit të tyre profesional dhe uljen e gabimeve, që mund të kryhen nga ata gjatë ndeshjeve. Sigurisht që rritja e nivelit profesional të gjyqtarëve është kërkesë edhe e jona, sepse për nga vetë rritja e konkurencës në garat sportive, fati i një kampionati, mundi dhe sakrifica e madhe njerëzore dhe financiare e një klubi, mund të varet vetëm nga një vlerësim i gabuar i një situate të caktuar nga ana e gjyqtarit. Pa dashur të ushtrojmë presion mbi gjykimin e garave, apo një gjyqtari në veçanti, vlerësojmë se niveli i gjykimit në përgjithësi duhet të përmirësohet edhe më shumë, duke qenë se dhe niveli i përgjegjësisë për shkaqet e sipërmendura duhet të jetë më i lartë. Në raportin e paraqitur nga presidenti për këtë çështje prisnim një analizë më të detajuara lidhur me punën e Komisionit të Arbitrave për vitin 2016, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mënyrën e seleksionimit, trajtimit në aspektin financiar, mënyrës së përparimit në karrierë, si dhe rastet e vënies së tyre përpara përgjegjësise për gabimet e kryera, apo deri heqjen e të drejtës së ushtrimit të këtij profesioni. Nga ana tjetër, është shqetësues fakti se që prej vitit 2011, klubeve nuk iu është vënë në dispozicion Rregullorja e Arbitrimit, një akt ligjor i një rëndësie specifike, duke marrë në konsideratë kontestimet e panumërta, të përjavshme të klubeve ndaj arbitrave apo nivelit të arbitrimit. Është i papranueshëm fakti se Komsioni i Vlerësimit të Meritave të Arbitrave funksionon aktualisht vetëm si një strukturë e brendshme në FSHF, kur në fakt duhet të shqyrtojë të gjitha kërkesat, notat e protestës, apo ankesat e klubeve ndaj trupave arbitrale apo arbitrave të caktuar. Rrjedhimisht, kërkojmë që të rikonceptohet dhe të rimiratohet Rregullorja e Arbitrimit, brenda mbledhjes më të afërt të Komitetit Ekzekutiv.

Paralelisht me këtë, kërkojmë që përmbajtja e kësaj rregulloreje të na vihet në dispozicion për mendim, përpara miratimit të saj. Vetëm në këtë mënyrë, mund të kemi një funksionim të drejtë dhe të pavarur të sistemit të arbitrimit, duke mos u vetëkënaqur në krijimin e Akademisë së Arbitrave të Futbollit. Sa iu përket të ardhurave, shpenzimeve dhe investimeve të kryera nga ana FSHF-së, e kishim të pamundur në kuptimin e kohës për të bërë një analizë të detajuar mbi çka është raportuar në materialin për Asamblenë e Përgjithshme, pasi ky material, në kundërshtim me sa ishte njoftuar shkresërisht nga vetë FSHF-ja, ka mbërritur zyrtarisht në klub vetëm të premten, më datë 10.03.2017, pra para 4 ditësh. Gjithsesi në një vështirm të shpejtë të këtyre zërave, konstatohen shpenzime të jashtëzakonshme për mbajtjen në funksion të një strukture, që duhet thënë se është e fryrë për kushtet e futbollit shqiptar. Sa iu përket të ardhurave dhe shpenzimeve, ne jemi të mendimit se në kuadër të transparencës, një pasqyrë e përmuajshme e këtyre zërave, lidhur me veprimtarinë e FSHF-së, duhet t’i shpërndahet secilit anëtar të kësaj Asambleje. Së fundi, dëshiroj të ngre një shqetësim, të cilin në fakt klubi ynë e ka ngritur edhe publikisht më pare, në lidhje me transparencën nga federata, se sa të ardhura vijnë për futbollin shqiptar dhe ku shkojnë. Kemi marë vesh vetëm nga shtypi dhe nga faqja e UEFA-s se na takojnë para çdo sezon, duke u cilësuar si fondi i solidaritetit. Për të paktën këto 4 vitet e fundit, që Partizani drejtohet nga Z.Demi, nuk jemi informuar asnjëherë nga askush në federatë se na takojnë 2 lekë nga ky fond. Pasi doli lajmi në gazetë, mora vesh nga zyrtarët në federatë se Partizanit të pronarit të kaluar i janë dhënë lekë paradhënie borxh. Mos vallë Z.Demi është duke paguar borxhe, pa e ditur fare që ekzistonin?

Më shumë nga FSHF