Kampionati Shqiptar

Partizani denoncon me fakte: Pamje, që nuk kanë nevojë për koment (video)

Partizani e humbi ndeshjen e javës së 20-të ndaj Kukësit, me rezultatin 3-1. Në terrenin e rënduar të “Selman Stermasit”, loja ishte detyrimisht e ashpër, ndaj edhe gjykimi rezultoi problematik. Të paktën sipas drejtuesve të klubit të kuq, Kridens Meta tregoi njëanshmëri dhe vendosi në rezultat. Kontestimi i 15 herë kampionëve të vendit, përmes drejtorit Olsi Rama dhe zv.trajnerit Klevis Dalipi, u fokusua te kartoni i dytë i verdhë për Kulum, që e nxori lojtarin serb me të kuqe, në minutën e 65-të, kur rezultati ishte 1-0 për Partizanin. Mbetja me një lojtar më pak në fushë i prishi ekuilibrat e ndeshjes dhe bëri që verilindorët të përmbysin gjithçka, me shifrat 3-1, ku të tre golat u realizuan prej tyre pasi kundërshtari mbeti me 10 lojtarë. Sot, përmes faqes në Facebook, klubi i kuq ka vijuar denoncimin me videon e momenteve kur kryesori Meta ka gabuar dhe ka anuar nga ana e miqve, të shoqëruar edhe me statusin: “Pamje që nuk kanë nevojë për koment, për ata që duan të dinë të vërtetën, për ata që duhet të dinë të vërtetën dhe që nuk duan të shikojnë të vërtetën”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar