Volejboll

Partizani dhe Tirana e nisin me fitore, Barleti mposht Mirditën në setin final

Partizani kampion në volejboll për femra e ka nisur mbarë kampionatin, duke marrë 3 pikët e para, ashtu sikurse edhe Teuta e Tirana, që kryesojnë renditjen pas ndeshjeve të javës së parë. Supersfida e kësaj jave, ajo mes Barletit dhe Mirditës, u mbyll 3-2 për kryeqytetaset.

Emocione, rivalitet dhe përmbysje të shpeshta në “Asllan Rusi”, në ndeshjen mes Barleti Volley e Mirdita, dy ekipeve pretendente për titull. Skuadra mirditore, e rikthyer në Grupin A këtë vit, synon titullin këtë sezon ashtu sikurse Barleti dhe kjo përballje e konfirmoi këtë gjë. Mikeshat e nisin mirë ndeshjen, duke fituar setin e parë, por shpejt vjen reagimi i Barletit, që fiton dy sete radhazi, duke përmbysur shifrat e seteve 2-1. Madje u duk sikur Barleti do ta fitonte këtë sfidë, por pas një loje maratonë, Mirdita fiton 30-28 setin e katërt, duke barazuar 2-2 shifrat. Emocionues e dramatik edhe seti final, fituar 15-13 nga Barleti, që nuk zhgënjeu para fansve të tij, duke marrë 2 pikët e para në kampionat, ndërsa Mirdita kënaqet me vetëm 1 pikë.

Nga ndeshja Partizani-Skenderbeu, 3-0

Partizani korri një fitore “flash” karshi Skënderbeut në “Asllan Rusi”, ndeshje e dominuar në të trija setet nga skuadra kryeqytetase, që nuk vuajti shumë për të marrë 3 pikët e para. Një takim që zgjati vetëm 60 minuta e ku epërsia e volejbollisteve të “kuqe” ishte e madhe, madje setet ishin fotokopje të njëra-tjetrës. Diferencat në fushë mes të dyja skuadrave ishin të mëdha, çka u konfirmuan edhe nga shifrat e tri seteve, të fituara me diferenca të mëdha nga Partizani.

Pa probleme fiton edhe Teuta, që mundi 3-0 Lushnjën, ndeshje e luajtur në Krutje e ku në fushë dominoi gjatë gjithë kohës skuadra durrsake. Vendaset tentuan të rivalizojnë disi në setin e dytë, por pa forcën e duhur, ndaj Teuta mori 3 pikë të lehtë në këtë debutim sezonal. 3-0 triumfon edhe Tirana në Shkodër ndaj Vllaznisë, një ndeshje pa shumë histori, ku vajzat bardheblu komanduan në fushë përgjatë gjithë kohës. Ndeshja nisi disi me rivalitet, por gradualisht, nga seti në set, Vllaznia nisi të lëshojë në lojën e saj, duke ia bërë më të lehtë fitoren ekipit kryeqytetas.

Volejboll – Femra GrupiA, java e parë (6 tetor)

Lushnja – Teuta, 0-3 (12-25, 18-25, 12-25)

Partizani – Skënderbeu, 3-0 (25-14, 25-12, 25-13)

Barleti Volley – Mirdita, 3-2 (23-25, 25-22, 25-13, 28-30, 15-13)

Vllaznia – Tirana, 0-3 (20-25, 18-25, 20-25)

Renditja: Partizani 3 pikë (1/)0, Teuta 3 pikë (1/0), Tirana 3 pikë (1/0), Barleti Volley 2 pikë (1/0), Mirdita 1 pikë (0/1), Vllaznia 0 pikë (0/1), Lushnja 0 pikë (0/1), Skënderbeu 0 pikë (0/1).

Më shumë nga Volejboll