Kampionati Shqiptar

Partizani dhe Tirana, në pritje të miqësoreve turke

Dy skuadrat kryeqytetase, Partizani dhe Tirana, vijojnë përgatitjet e tyre dimërore në Antalia të Turqisë.

Dy skuadrat kryeqytetase, Partizani dhe Tirana, vijojnë përgatitjet e tyre dimërore në Antalia të Turqisë. Deri më tani, të kuqtë dhe bardheblutë kanë zhvilluar seanca stërvitore, nga dy në ditë, duke alternuar sallën e forcës me fushën e lojës. Ndryshe nga Kukësi dhe Skënderbeu, që janë po atje, në Antalia, kryeqytetasit nuk e kanë provuar veten akoma në ndeshje miqësore. Kështu, Partizani do të ketë një përballje legjendash me Fenerbahçe, ditën e mërkurë, në orën 18:00, në stadiumin “Akdeniz Universitesi”.

Nga ana tjetër, Tirana e Mirel Josës do të luajë miqësoren e parë në tokën turke më 12 janar, ndaj FC Akzhayik. Sa u përket përgatitjeve, bardheblutë kanë hyrë në ditën e tretë të tyre në Antalia. Skuadra stërvitet dy herë në ditë, në fushën dhe sallën e forcës së resortit, ku bardheblutë janë të grumbulluar. Trajneri Mirel Josa, bashkë me ndihmësit e tij, Ivan Gvozdenovic dhe Emanuel Egbo, e kanë shtuar ngarkesën fizike për lojtarët. I diferencuar nga grupi vijon të stërvitet Dorian Kërçiku, ndërkohë që Muça dhe Reuben Akua kanë rikuperuar plotësisht dëmtimet dhe janë bashkuar me grupin.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar