Kampionati Shqiptar

Partizani e quan “hamza” Skënderbeun, ndizet supersfida e javës së 30-të

Partizani-Skënderbeu është kreysfida e javës së 30-të të Superiores. Ajo do të luhet të hënën, në “Selman Stermasi”, duke përmbyllur këtë “stacion” të garës. Korçarët janë të sigurtë në rrugën e fitimit të titullit kampion, por edhe finalistë të Kupës së Shqipërisë, ndërsa të kuqtë duhet të bëjnë gjithçka për të shkuar në Kupat e Europës përmes kampionatit, duke zënë të paktën një vend të tretë në klasifikim.

Ballafaqimet mes këtyre dy skuadrave në vitet e fundit kanë qenë të ethshme, për vetë faktin se kanë rivalizuar për titullin, ndërkohë që edhe atmosfera mes tifozërive repsketive ka qenë e zjarrtë. Kështu pritet të ndodhë edhe kësaj here, në përplasjen e fundit sezonale mes palëve.

Partizani e ka ndezur luftën që të enjten, kur në faqen e vet zyrtare bën njoftimin përkatës për ndeshjen, duke mos e shkruar me emër Skënderbeun, kundërshtarin e radhës, por në vend të tij të nënvizojë “Hamzai”. Në fakt faqja e 15 herë kampionëve të vendit ka bërë “share” njoftimin e “Ultras Guerrils”, dke i ftuar tifozët e kuq nën thirrjen: “Asnjë s’duhet të mungojë”.

Madje, fjalën Hamzai e shkruan me germë të vogël (hamzai), si për ta bërë më të plotë nënkuptimin për ish-tradhtarin e Gjergj Kastriot, Skënderbeut, këtu e 550 vite më parë, në luftën kundër osmanllinjve pushtues (Hamza Kastrioti ishte nipi dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Skënderbeut, i cili e humbi shpresën për t’i zënë vendin ungjit të vet, kur këtij i lindi djali trashëgimtar, ndaj kaloi në anën e sulltanit). Një veprim me “qitje të largët”, që mund të thotë shumë gjëra, që e ndez maksimalisht betejën e së hënës, disa ditë përpara.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar