Volejboll

Partizani fiton derbin me Studentin, siguron finalen e Kupës së FSHV-së

Partizani në volejboll për meshkuj ka prerë një biletë për në finalen e Kupës së Federatës, pas fitores 3-0 (25-14, 25-18, 25-16) që korri sot në mbrëmje ndaj Studentit në derbin kryeqytetas. Sfida e luajtur në “Feti Borova” (Tirana Olimpik Park) është dominuar në të trija setet nga volejbollistët e trajnerit Ylli Tomorri, që patën epërsi në fushë, duke e merituar fitoren. Studenti për asnjë moment nuk arriti të rivalizojë, bëri shumë gabime dhe ia lehtësoi edhe më shumë fitoren skuadrës së “kuqe”.

Që në setin e parë u pa qartë që Partizani ishtë më superior në fushë, një ekip që ka kryer edhe disa përforcime këtë sezon, që bënë diferencën në parket. Setet ishin të ngjashme mes tyre, me Partizanin që shkëputej gradualisht nga pika në pikë, duke i fituar setet me diferenca të mëdha pikësh, pa djersitur shumë. Në finalen e Kupës së FSHV-së (e diel, ora 20:00), Partizani do të luajë një tjetër derbi, atë ndaj Tiranës, që në gjysmëfinalen tjetër mundi 3-1 Erzenin.

Më shumë nga Volejboll