Futboll

Partizani, Gega: “Kishim studiuar Flamurtarin. Fituam në fushën tonë, asgjë më shumë!”

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega nuk ka zbehur aspak suksesin e të kuqëve ndaj Flamurtarit, duke vlerësuar skuadrën e tij për fitoren, por gjithashtu ka preferuar të kufizojë euforinë, duke e konsideruar triumfin 2-0 ndaj vlonjatëve, vetëm si një fitore normale në shtëpi. “Dua t’i uroj suksese Flamurtarit dhe kolegut Ilir Daja. Mundësitë tona janë shumë më tepër se ndeshjet e fundit. E kam thënë edhe më parë. Ne kemi një projekt që është i klubit dhe është shumë ambicioz. Unë jam shumë “ok” dhe e uroj ekipin për lojën dhe për shpirtin e treguar. Gjithsesi është vetëm ndeshja e pestë e kampionatit, asgjë më shumë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Mendoj se kemi një ndërthurje shumë të mirë me të rinjtë e ekipit. Të gjithë lojtarët aktivizohen me besim të plotë. Padyshim ne kemi një shtyllë kurrizore, pra futbollsitë me eksperiencë, të cilët i kanë pritur shumë mirë të rinjtë. Unë nuk kam sekrete. Ne e kishim studiuar Flamurtarin dhe të jem i sinqertë skuadra më është përgjigjur jashtëzakonsisht mirë, duke zbatuar rregullat sikurse kishim punuar gjatë javës”, u shpreh tekniku i ekipit të kuq.

“Mensah ne e kemi marrë për sulmues, por ai luan në krah dhe pas sulmit. Është rritur fizikisht dhe unë i kam dhënë besimin. Jo vetëm për golin, por për sa minuta luajti, është përshtatur shumë mirë me ekipin. Jemi optimistë. I urova futbollistët për shpirtin e garës. Nga ky moment duhet të mbajmë këtë ritëm dhe këtë sjellje në fushë. Asnjëri nga ne të mos ushqejë asgjë më shumë. të jemi me këmbë në tokë. Fundja Partizani fitoi në fushë të vet ndaj Flamurtarit. Tani të shohim nëse mund të luanim më mirë. Jemi të qetë në aspektin psikologjikisht. E kam shprehur se nuk kam presion nga klubi. Kemi mbështetjen e klubit. Deri tani kanë shkuar gjërat mirë. Javën tjetër kemi një tjetër ndeshje”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Partizanit, Skënder Gega, optimist pas fitores së rëndësishme 2-0 ndaj Flamurtarit.

Më shumë nga Futboll