Volejboll

Partizani hakmerret ndaj Vllaznisë, mund kampionët brenda në Shkodër

Një javë pas ndeshjes finale të Kupës së Federatës, skuadra e Partizanit në volejboll për meshkuj është hakmarrë ndaj kampionëve të Vllaznisë, duke fituar pastër 3-0 në Shkodër, duke befasuar edhe vetë ekipin kampion. Një ndeshje e fituar me shumë lehtësi nga skuadra kryeqytetase, që një javë pas humbjes 2-3 në Kupë, tregon një fytyrë krejt tjetër dhe arritur një fitore të merituar jashtë fushe, ndaj një rivali direkt për titull. Një fitore “flash” e skuadrës së trajnerit Tomorri, që e dominoi lojën në të trija setet, të fituara me diferenca pikësh, ndërsa Vllaznia bëri një ndeshje të dobët, duke mos qenë asnjëherë rivalizuese në parket.

Nga ndeshja Elbasani-Teuta, 3-0

Mbarë e nis kampionatin Elbasani, që mundi 3-0 Teutën në fushën e tij, në një ndeshje të dominuar nga vendasit. Miqtë nga Durrësi rivalizuan vetëm në setin e parë dhe më pas në fushë dominoi ekipi elbasanlli, që fitoi me meritë tri pikët e para. Mjaft i bukur takimi derbi zhvilluar në “Fahrie Hoti” mes Farka Volley e Tiranës, fituar në setin final 3-2 nga bardheblutë, që përmbysën dy herë avantazhin e skuadrës së Farkës. Të dyja skuadrat e kërkuan fitoren, duke dueluar deri në fund, por Tirana u tregua më e saktë në momentet vendimtare, duke korrur fitoren e parë sezonale. 3-2 fiton në Durrës edhe ekipi i Studentit, që mundi shijakasit, në një tjetër ndeshje dramatike, të vendosur në pikët shtesë të setit final.

Volejboll-Meshkuj (Java e parë)

Elbasani – Teuta, 3-0 (25-22, 25-17, 25-16)

Vllaznia – Partizani, 0-3 (12-25, 17-25, 18-25)

Erzeni – Studenti, 2-3 (23-25, 25-21, 25-22, 21-25, 17-19)

Farka Volley – Tirana, 2-3 (27-25, 18-25, 25-17, 21-25, 10-15)

Skënderbeu (pushim)

Renditja: Partizani 3 pikë (1/0), Elbasani 3 pikë (1/0), Tirana 2 pikë (1/0), Studenti 2 pikë (1/0), Erzeni 1 pikë (0/1),  Farka Volley 1 pikë (0/1), Teuta 0 pikë (0/1), Vllaznia 0 pikë (0/1), Skënderbeu 0 pikë (0/0).

Më shumë nga Volejboll