Volejboll

Partizani harron të fitojë, Tirana e Vllaznia ndajnë kryesimin

Tirana e Vllaznia vazhdojnë të ndajnë mes tyre kreun e renditjes së kampionatit në volejboll për meshkuj edhe pas ndeshjeve të javës së tretë, pas fitoreve 3-1 të arritura sot pasdite ndaj rivalëve të tyre. Bardheblutë e trajnerit Koja mundën me lehtësi 3-1 Studentin në derbin kryeqytetas luajtur në “Asllan Rusi”, një ndeshje në përgjithësi e dominuar nga skuadra e Tiranës, ndjeshëm më superiore se rivalët. Studenti e rriti ritmin e tij nga seti në set, madje fitoi edhe një set, të tretin, duke u përpjekur të rihapë ndeshjen, por pa sukses.

Me të njëjtën monedhë, me fitore, kundërpërgjigjet edhe Vllaznia, që një javë pasi mundi kampionët e Erzenit arrin të fitojë edhe ndaj nënkampionëve të Partizanit, këtë herë jashtë fushe dhe duke marrë 3 pikë të rëndësishme. Partizani i përforcuar edhe me lojtarë të huaj duket ende një skuadër në ndërtim, i pakonsoliduar në sulm e mbrojtje, duke gabuar shumë. Por, mbi të gjitha, është një ekip që ka harruar të fitojë, duke pësuar humbjen e dytë në po kaq takime dhe ndodhet në fundin e klasifikimit.

Edhe pse ndaj shkodranëve skuadra e Partizanit e nisi mirë ndeshjen, shpejt toleroi në fushën e lojës, duke mos arritur të rivalizojë në momentet vendimtare. Tri setet e para janë me rivalitet deri në pikët e fundit, por në të katërtin kryeqytetasit dorëzohen totalisht, ndaj fitorja e Vllaznisë është e merituar.

Rikthehet te fitorja në kampionat Erzeni kampion, që në fushën e tij mposhti me shumë lehtësi 3-0 Elbasanin e vendit të fundit, në një takim që zgjati vetëm 60 minuta. Miqtë nuk arritën në asnjë moment të vënë në vështirësi shijakasit, që patën epërsi në fushë në çdo drejtim dhe e merituan fitoren.

Vijon paraqitjet e mira në kampionat edhe Skënderbeu, që në Korçë mundi 3-0 Teutën. Miqtë nga Durrësi tentuan surprizën vetëm në setin e dytë, ku rivalizuan dhe u mundën në shtesë, pasi pjesa tjetër e takimit ishte një monotoni, gjithnjë nën komandën e korçarëve, që ndodhen në “top-4” të renditjes.

Volejboll – Meshkuj, Java e 3-të (13 tetor)

Skënderbeu – Teuta, 3-0 (25-17, 27-25, 25-12)

Studenti – Tirana, 1-3 (9-25, 19-25, 25-22, 21-25)

Erzeni – Elbasani, 3-0 (25-11, 25-20, 25-15)

Partizani – Vllaznia, 1-3 (25-23, 21-25, 22-25, 19-25)

Farka Volley (pushim)

Renditja: Tirana 8 pikë (3/0), Vllaznia 8 pikë (3/0), Erzeni 7 pikë (2/1), Skënderbeu 7 pikë (2/1), Farka Volley 3 pikë (1/1), Studenti 3 pikë (1/2), Partizani 0 pikë (0/2), Teuta 0 pikë (0/2), Elbasani 0 pikë (0/3).

Më shumë nga Volejboll