Volejboll

Partizani komandon kampionatin, Erzeni e ndjek pas, Studenti fiton derbin me Tiranën

Janë luajtur sot takimet e javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar në volejboll për meshkuj, një javë që nuk ka sjellë asnjë ndryshim në krye të renditjes, ku Partizani vazhdon të dominojë, shkëputur 5 pikë nga rivalët. Të kuqtë e trajnerit Ylli Tomorri nuk zhgënjyen as sot, ku fituan 3-0 ndaj Farka Volley në “Fahrie Hoti”, ndeshje në sens unik dhe dominuar nga Partizani. Farka nuk pati mundësi të rivalizojë dhe fitojë, pasi epërsia e të kuqve ishte e ndjeshme, duke e mbyllur takimin brenda një ore. Po kaq kollaj fiton edhe Erzeni i vendit të dytë, që mundi 3-0 Vllazninë kampione. Vetëm seti i parë pati disi rivalitet, pasi më tej gjithçka foli për ekipin shijakas, që dominoi në fushë dhe mori 3 pikë të lehta.

Nga ndeshja Farka Volley-Partizani, 0-3

Humbja thuajse ka mbyllur çdo shans të Vllaznisë kampione për të mbrojtur titullin, pasi shkodranët janë 10 pikë larg zonës së play off-it, aty ku janë Studenti e Tirana, që u përballën mes tyre në “Fahrie Hoti”. Studenti fitoi 3-2, një ndeshje të hapur deri në fund. Pas avantazhit 2-0 të Studentit vjen rikuperimi i bardhebluve, që fitojnë dy setet e tjera, por në atë final Studenti fiton 15-10 dhe krejt ndeshjen, duke dalë në renditje një pikë para Tiranës. Pa probleme fitoi sot edhe Skënderbeu, që ngjitet në vendin e pestë falë triumfit 4-0 ndaj Teutës në Durrës, sukses i merituar për korçarët, ndërsa Teuta nuk ka korrur ende asnjë fitore në kampionat, madje nuk ka asnjë pikë.

Volejboll – Meshkuj, java e 13-të (sot)

Teuta – Skënderbeu, 0-3 (10-25, 23-25, 13-25)

Erzeni – Vllaznia, 3-0 (25-21, 25-12, 25-12)

Farka Volley – Partizani, 0-3 (16-25, 18-25, 12-25)

Tirana – Studenti, 2-3 (16-25, 15-25, 25-20, 25-22, 10-15)

Elbasani (pushim)

Renditja: Partizani 33 pikë (11/1), Erzeni 28 pikë (9/2), Studenti 25 pikë (9/3), Tirana 24 pikë (8/4), Skënderbeu 15 pikë (5/6), Vllaznia 13 pikë (4/7), Farka Volej 12 pikë (4/8), Elbasani 6 pikë (2/9),  Teuta 0 pikë (0/12).

Më shumë nga Volejboll