Futboll

Partizani me ritëm kryesuesi, Telushi qan në ndëshkimin e Flamurtarit

Partizani ka triumfuar mbrëmjen e të premtes në “Selman Stërmasi”, ndaj Flamurtarit, me rezultatin 2-0. Të kuqtë tashmë duken se kanë kapur ritmin e kampionit, pasi falë 3 pikëve të siguruara ndaj vlonjatëve, marrin kryesimin e klasifikimit, me pikë të barabarta me Skënderbeun, 10 në pesë ndeshje, por me korçarët që kanë luajtur një ndeshje më pak. Nga ana tjetër, skuadra e Flamurtarit rëndon pozitat e saj, duke mbetur në kuotën e 7 pikëve, në vend të katërt, e rrezikuar nga shumë ndjekës, me të cilët i ndan vetëm 1 pikë.

Ishte Mensah, ai që i dha kryesimin Partizanit në minutën e 21’. Një gol fantastik, pas një askioni nga e djathta, i shpejtë dhe shpërthyes, pasi i shpëton mbulimit të mbrojtjes, gjuan në djagonale për të kaluar portierin dhe dërguar topin në rrjetë. Kur mendohej se gjithçka kishte përfunduar, Telushi ndëshkon ish-ekipin e tij më një gol spektakolar nga goditja e dënimit, për të sigluar rezultatin final në shifrat 2-0 në favor të Partizanit. Gol që ka emocionuar pa fund lojtarin vlonjat, i cili nuk ka festuar, por ka lotuar.

Një fitore bindëse kjo e Partizanit, që ka dominuar pjesën më të madhe të lojës. Të kuqtë nuk kanë reshtur së kërkuari golin, që nga fillimi, për t’u shpërblyer shumë shpejt me golin e Mensah, por për të mos ndalur më tentativat, pavarësisht se në mënyrë racionale, për të mos krijuar hapësira në mbrojtje. Thuajse asnjëherë të kërcënuar nga vlonjatët që kanë ruajtur atë ritëm të dobët të ndeshjes së javës së kaluar ndaj Skënderbeut, Partizani ka patur disa raste, por të pa finalizuara me saktësi, të paktën deri në minutën e fundit të kohës së rregullt. Vërtetë ironike, teksa në të 90’ ish-kapiteni i Flamurtarit, tashmë në radhët e të kuqëve, ka ndëshkuar ish-ekipin e tij me një gol fantastik në goditje dënimi, për t’u larë në lot. Partizani tashmë duket se mund të nisë garën dhe konkurimin direkt ndaj kandidatëve potencialë për titullin kampion, Skënderbeut dhe Kukësit.

Partizani-Flamurtari 2-0

Shënues: Mensah 21’, Telushi 90’

Partizani: Hoxha, Atanda, Ibrahimi, Belica, Trashi, Hila, Telushi, Mala, Asani, Mensah, Bardhi.

Trajner: Skënder Gega

Flamurtari: Koliçi, Pollozhani, Sirghi, Siljanovski, Kotobelli, Deliaj, Beqaj, Batha, Torassa, Danilo Alvesh, Bushiç.

Trajner: Ilir Daja

Më shumë nga Futboll