Volejboll

Partizani mund Tiranën edhe me meshkujt, të kuqtë fitojnë gjysmëfinalen e parë

24 orë pasi skuadra e Partizanit në volejboll për femra fitoi ndaj Tiranës në gjysmëfinalen e parë të play off-it me rezultatin 3-0, e njëjta gjë përsëritet edhe me meshkuj. Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri fituan sot pasdite 3-0 ndaj Tiranës në “Asllan Rusi”, në takimin e parë gjysmëfinal për meshkuj, duke udhëhequr 1-0 me ndeshje. Një ndeshje e dominuar dhe fituar me meritë nga skuadra e Partizanit, që pati epërsi në lojë në të trija setet, duke korrur një fitore të lehtë.

Partizani nuk e vuri në diskutim për asnjë moment fitoren, duke qenë superior në parket gjatë gjithë kohës, çka duket edhe në rezultatin e seteve (25-17, 25-11, 25-17), madje seti i dytë ishte një formalitet për të kuqtë. Tirana në asnjë moment nuk arriti të rivalizojë, ishte e avashtë në lojën e saj, duke mos dhënë atë që pritej në një derbi. Pas dy ditësh do të luhet ndeshja e kthimit, këtë herë në sallën sportive “Fahrie Hoti” , në fushën e skuadrës bardheblu.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale është ajo midis Erzenit dhe Studentit, që luhet në Durrës.

Play off,  Gjysmëfinale – Meshkuj

10 prill, Partizani – Tirana, 3-0 (25-17, 25-11, 25-17)

10 prill, Erzeni – Studenti, ora 18:00 (Akademia Dhimitraq Goga)

Më shumë nga Volejboll