Volejboll

Partizani në finalet e play off-it, fiton sërish derbin me Tiranën

Partizani është skuadra e dytë finaliste e play off-it në volejboll për meshkuj, pas fitores 3-1 që të “kuqtë” e trajnerit Ylli Tomorri korrën sot në mbrëmje ndaj Tiranës, në gjysmëfinalen e dytë të play off-it luajtur në “Fahrie Hoti”. Derbi i sotëm i kryeqytetas ishte më i bukur se ai i 3 ditëve më parë, pasi bardheblutë u përpoqën të befasojnë skuadrën e Partizanit, madje duke fituar edhe setin e parë. Por vetëm kaq nuk mjaftoi, pasi Partizani arriti të përmbysë shifrat në tri setet e tjera, duke korrur një fitore të merituar dhe avancon më tej.

Ndeshja nis menjëherë mirë për bardheblutë, që diktojnë me lojën e tyre në setin e parë, duke u shkëputur dhe fituar 25-21. Por më pas loja merr një tjetër kah, Partizani “zgjohet” dhe tregon se është më superior në fushë. Të “kuqtë” luajnë më mirë, barazojnë shpejt shifrat e seteve, duke fituar 25-19 setin e dytë dhe këtë ritëm nuk e ulin deri në fund. Tirana nuk ka më forcë të rivalizojë, ndërsa Partizani është më i saktë, fiton edhe dy setet e tjera 25-19 e 25-18, duke korrur fitoren e radhës. Në finale, Partizani do të luajë ndaj Erzenit.

Play off,  Gjysmëfinale – Meshkuj

10 prill, Partizani – Tirana, 3-0 (25-17, 25-11, 25-17)

10 prill, Erzeni – Studenti, 3-0 (26-24, 25-18, 25-21)

13 prill, Tirana – Partizani, 1-3 (25-21, 19-25, 19-25, 18-25)

13 prill, Studenti – Erzeni, 0-3 (17-25, 22-25, 20-25)

Më shumë nga Volejboll