Kampionati Shqiptar

Partizani nuk bind, e nis me humbje përgatitoren e Antalias

Partizani ka zhvilluar ditën e sotme një ndeshje miqësore në Antalia të Turqisë, ku po zhvillon edhe përgatitjet dimërore, ashtu si disa skuadra të tjera të Superiores. Kundërshtari i të kuqve të drejtuar nga Sulerjman Starova ishin turqit e Kasimpasa S.K. Loja ka qenë më shumë e kontrolluar nga kundërshtari, sidomos në pjesën e parë, megjithatë nuk kanë munguar kundërsulmet e rrezikshme të “demave”. Sidoqoftë, Partizani ka vuajtur në rrjedhshmërinë e aksioneve dhe ka mbetur më së shumti nën presionin e turqve.

Një minutë para fundit të miqësores, 15 herë kampionët e Shqipërisë pësuan golin e vetëm të këtij 90-minutëshi, duke dalë të mundur nga ky test. Starova hodhi si formacion startues: Hoxha, Kalari, Ibrahimi, Atanda, Kotobelli, Telushi, Trashi, Batha, Progni, Asani dhe Bardhi. Nga prurjet e merkatos së dimrit, nga fillimi e nisi lojën vetëm Telushi. Në pjesën e dytë u aktivizua edhe mbrojtësi Egzon Belica, në vend të Kotobellit. Po kështu, disa minuta iu rezervuan edhe Realdo Filit, që zëvendësoi Asanin.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar