Futboll

Partizani pa zhurmues, pëshpëritësit të bindin Demin për kompleksin!

Presidenti Gaz Demi ka të gjithë të drejtën e botës të thërrasë të gjithë stafet e kaluara dhe njerëzit që i kanë pëshpëritur në vesh se i duhen shpenzime për të nxjerrë një ekip kampion dhe t’u kërkojë llogari. Shpenzoi pafund sezonin e kaluar, mori dhe një emër “big” si Luciano Moggi, gabimi më i madh i tij në këto vite që administron “demat”, dhe në fund rezultati ishte i njëjtë:  Zero! Në dy sezonet e fundit Europa është “sakrifikuar” për shkak të keqorganizimit.

Afrimi i Skënder Gegës në krye të Partizanit dhe ulja e buxhetit bëri që te kryeqytetasit të mendojnë të gjithë njëlloj, ky sezon duket i sakrifikuar. Emra të rinj dhe jo shumë reklamë. “Imagjino, kur as medie dhe drejtuesit nuk na fryjnë për titull, çfarë duhet të presim ne?”, – kanë menduar tifozët e kuq. Sot, ata kanë të gjithë të drejtën e Zotit të flasin dhe të bërtasin, pasi ekipi i tyre po bind dhe ka mbërthyer kreun e klasifikimit.

Një trajner që nuk del e bërtet në media dhe e gjen fajin gjithmonë te vetja, jo te armiqtë e padukshëm. Gega po bind. Disa nuk e besonin, disa nuk vazhdojnë të besojnë dhe të kenë dyshime te ai, por rezultatet u përplasen në fytyrë të gjithëve. Ekip cinik dhe “blind” në mbrojtje. 1 gol në 8 ndeshje dhe atë të pësuar me penallti, diçka është. Nuk flasim për kampionat, pasi Gega do të ishte i pari që do na shante, por kryeqytetasit kanë futur marshin e pestë. A, po, nëse doni të bëni mirë dhe jo keq si çdo vit tjetër, pëshpëritësit e veshit të presidentit duhet ta bindin që të ndërtojë kompleksin: “Ndërto kompleksin dhe Partizani do kalojë në tjetër nivel”.

Më shumë nga Futboll